Lajme

Osmani për sulmin në Teksas: Ndajmë dhimbjen me popullin amerikan


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj sulmit në Teksas ku të paktën 19 nxënës dhe 2 të rritur u vranë nga të shtënat masive në shkollën fillore Robb, nga një person i armatosur 18 vjeçar, i cili më pas u qëllua për vdekje nga policia, të martën e 24 majit.

Përmes një cicërime në ‘Twitter’, Osmani ka shkruar se lutjet tona janë me familjet e nxënësve dhe të rriturve të cilët humbën jetën.

“E shkatërruar nga lajmi për të shtënat në një shkollë në Teksas. Lutjet tona janë me familjet e fëmijëve dhe të rriturve, jetët e të cilëve iu dhanë fund padrejtësisht. Ne ndajmë dhimbjen e popullit amerikan dhe pikëllimin me miqtë tanë në këtë kohë”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, lajmi u bë i ditur nga zyrtarët vendas.

Ky ishte sulmi më i fundit i vrasjeve masive me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara dhe të shtënat me bilancin e rëndë në një shkollë, që nga Sandy Hook një dekadë më parë.

Masakra filloi kur i dyshuari 18-vjeçar, i identifikuar si Salvador Ramos, qëlloi gjyshen e tij, e cila është në gjendje kritike.

Policia tha se ai u largua nga ajo skenë dhe përplasi makinën e tij pranë shkollës fillore Robb në Uvalde, një qytet rreth 80 milje (130 km) në perëndim të San Antonio.

Atje ai nisi “të gjuajë me tërbim” deri kur u vra, pasi u qëllua nga policia.

Viti shkollor duhej të përfundonte të enjten.

Motivi nuk ishte i qartë menjëherë dhe besohet se ai ka vepruar i vetëm.

Oficerët e zbatimit të ligjit “pikasën” të dyshuarin kur e panë të dilte nga automjeti i tij i përplasur duke mbajtur një pushkë dhe një pistoletë.

Por personi i armatosur megjithatë arriti të futej në ndërtesën e shkollës dhe të hapte zjarr.

Personi i armatosur kishte veshur parzmore dhe kishte lënë të kuptohet në mediat sociale për një sulm të ardhshëm.

Sipas senatorit të shtetit të Teksasit, Roland Gutierrez, i dyshuari u drejtua për në shkollë me dy pushkë të stilit ushtarak që kishte blerë në ditëlindjen e tij.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë disa orë më vonë, presidenti amerikan Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që të ngrihen përballë lobit politikisht të fuqishëm amerikan të armëve, të cilin ai e fajësoi për bllokimin e miratimit të ligjeve më të ashpra për sigurinë e armëve të zjarrit.

“Si komb, ne duhet të pyesim. Kur në emër të Zotit do t’i rezistojmë lobit të armëve?”, tha Biden në televizionin kombëtar.

Ai ka sugjeruar rivendosjen e një ndalimi të armëve të stilit të sulmit dhe të tjera “ligje të arsyeshme për armët.

Biden urdhëroi që flamujt të valonin në gjysmë shtizë çdo ditë deri në perëndim të diellit të shtunën në respekt të tragjedisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore