Lajme

Osmani për “Le Monde”: Sulmi në Banjë ishte një ofensivë paraushtarake nga Serbia


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në sulmin terrorist të 24 shtatorit, “nuk ishte vetëm një grup qytetarësh të pakënaqur që organizuan një sulm, por ishte qartë një ofensivë paraushtarake nga Serbia”.

Këto komente ajo i ka bërë në një prononcim për prestigjiozen franceze “Le Monde”, e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë sulmit terrorist në Veri të Kosovës.

“Një grup ‘burrash të vegjël të gjelbër’ që synonin një aneksim të llojit të Krimesë”, ka thënë Osmani për “Le Monde”.

Në këtë artikull të të përditshmes franceze ka folur edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ai ka theksuar se “objektivi kryesor i tyre [terroristëve serbë] ishte pushtimi i territoreve në Veri, përpjekje për ta ndarë rajonin nga pjesa tjetër e Kosovës”, teksa ka vazhduar të shpjegojë për implikimin e shtetit serb në këtë ngjarje.

“Kemi gjetur harta që tregojnë se duhet të ketë pasur tre zona operimi me më shumë se 200 persona të përfshirë”, ka pohuar Maqedonci, duke vlerësuar se kontrolli aksidental i policisë në mes të natës bëri që operacioni të dështonte duke shkaktuar përplasjet më shpejt se pritet.

“Le Monde” përmend arsenalin ushtarak të konfiskuar nga Policia e Kosovës me më shumë se 40 RPG raketa anti-tank, gati 200 granada-hedhësa, dhjetëra pushkë automatike, mina, mbi 80 mijë copë municion.

“Nuk mendoj se diçka e tillë është e mundur pa një lidhje me qeverinë serbe”, ka shtuar Maqedonci, teksa theksohet se shumica e armëve të përdorura nga terroristët janë të prodhuara në fabrika shtetërore serbe.

Ejup Maqedonci

Ndërsa, prestigjiozja franceze “Le Monde”, në këtë artikull kushtuar sulmit terrorist të 24 shtatorit, e ka krahasuar me atë rus për aneksimin e Krimesë më 2014.

Fillimisht, e përditshmja franceze i bënë një përshkrim grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë Heroi Afrim Bunjaku.

“I stërarmatosur, i veshur pa shenja, si forcat ruse gjatë aneksimit të gadishullit ukrainas në vitin 2014, një komando serbe tentoi në fund të shtatorit të sulmonte Veriun e këtij territori ballkanik me shumicë shqiptare”, shkruan.

Më pastaj, “Le Monde”, tregon bisedën që ka pasur me shitësin e një dyqani në fshatin Banjë, i cili ia ka përshkruar momentet e kësaj ngjarje, për të cilat thotë se i kujton si të kishin ndodhur dje.

“Gruaja ime erdhi të më zgjonte në mes të natës duke më thënë se po tërhiqej. Në fillim menduam se ishin kontrabandistë, por shpejt e kuptuam se ishte më keq. Edhe pse jam burrë, u tremba shumë, shumë”, ka thënë ai në pragun e dyqanit të tij, duke refuzuar të japë emrin.

Shitësi ka shtuar se ashtu si 95 për qind e këtij fshati, “nuk dyshova asgjë ”, duke e ka përshkruar komandon [kryekriminelin Milan Radojiçiç], si një “bandë kriminale”.

Aty përmendet edhe roli i atij që e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist, pra Radojiçiç-in, si dhe paraburgosja në Serbi e lirimi i tij pas një dite.

E përditshmja franceze tregon se është përpjekur të kontaktojë me Radojiçiç-in dhe avokatin e tij Goran Petronijeviç, por që të njëjtit nuk u kanë kthyer përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore