Lajme

Osmani për Al Jazeera: Rusia ka interes ta sulmojë – përmes Serbisë – Kosovën


Vjosa Osmani

“Rusia ka veçanërisht interes për ta sulmuar Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën dhe deri diku Malin e Zi”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Al Jazeera, kur ka komentuar deklaratën e ambasadorit rus në Bosnje, Igor Kalabukhov, i cili pati deklaruar se nëse boshnjakët synojnë anëtarësim në NATO, “Rusisë do t’i duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor”.

Deklaratën diplomati rus e kishte dhënë në një intervistë me TV Bosnjën, derisa kishte marrë si shembull invazionin rus në Ukrainë, si një nga përgjigjet që Rusia ka ndaj tendencave të shteteve të caktuara për bashkim me aleancën veri-perëndimore.

Osmani tha për Al Jazeera se Rusia përdorë Serbinë për të realizuar qëllimet e saja në Ballkan, meqë Serbia është proxy (luftë që iniciohet nga një aktor më i madh, por përdorë një shtet më të vogël dhe nuk futet vetë direkt në luftë) e Rusisë.

“Influenca e Rusisë në Serbi nuk po zvogëlohet, në fakt po rritet nga viti në vit”, pohoi Osmani.

Menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, Kosova ka kërkuar nga aleatët që të ndihmohet për anëtarësim në NATO.

Siç dihet, fillimisht synimi është që t’u bashkohet mekanizmave për Partneritetin për Paqe, një program i NATO-s që inkurajon bashkëpunim me vendet jo-anëtare.

Por, problem mbeten shtetet mos-njohëse brenda NATO-s: Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania.

“Veçse jemi duke folur me anëtarë të NATO-s që të sigurohemi se të gjithë e kuptojnë se anëtarësimi po bëhet i domosdoshëm, veçanërisht në dritën e zhvillimeve në Ukrainë”, deklaroi Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore