Lajme

Osmani – për 3 minuta – do e përfaqësojë Kosovën në Samitin e Demokracisë


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë ditës së enjte, rreth orës 16:00, do ta mbajë fjalimin e saj duke përfaqësuar Kosovën në Samitin për Demokraci, i organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili do t’i zhvillojë punimet virtuelisht më 9 dhe 10 dhjetor.

Sundimi i Ligjit, bashkëpunimi ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve, do të jenë disa nga temat, që Osmani do t’i paraqes gjatë fjalimit të saj.

Sipas orarit të paraqitur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, shtetet janë të ndara në panele ndërsa Kosova është e para në panelin ku pesë shtete kanë gjithsej 15 minuta kohë për adresim të liderëve të tyre pra, secili shtet ka nga 3 minuta kohë.

Ndërsa Serbia është në panelin që nis adresimin në orën 16:30 dhe në të janë tri shtete gjithsej dhe kanë 15 minuta kohë, pra, secili shtet nga pesë minuta.

Në panel me Kosovën janë edhe Luksemburgu, Malta, Mali i Zi dhe Holanda.

Kosova, kishte pranuar ftesën për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci me 9 nëntor të këtij viti.

Ilustrim

Së bashku me Presidenten në këtë samit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova.

“Në këtë Samit do të marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata nga sektori privat, ndërkaq është paraparë të diskutohet për, forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen kundër autoritarizmit, mbrojtjen e institucioneve demokratike, kundërshtimin e autoritarizmit digjital dhe afirmimin e vlerave demokratike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore