Lajme

Osmani në SHBA pritet nga Pelosi, diskutojnë për sigurinë në Ballkan


Vjosa Osmani dhe Nancy Pelosi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën e 10 majit është pritur në takim nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në darkën e organizuar për nder të Takimit të Liderëve të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

“Diskutuam për gjendjen aktuale të sigurisë në Evropë e në veçanti edhe në Ballkan, si dhe theksuam rëndësinë e partneritetit e komunikimit të vazhdueshëm në të dy anët e Atlantikut për garantimin e paqes dhe stabilitetit”, ka shkruar Osmani në rrjetin e saj social në Facebook.

Në këtë pritje, Osmani ka takuar edhe kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, Senatorin Bob Mendez, Senatorin Lindsay Graham, Kongresistin Gregory Meeks, si dhe zyrtarë e të ftuar të tjerë.

Ndryshe presidentja Osmani, po merr pjesë në hapjen zyrtare të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut, në SHBA.

Në këtë Konferencë, Osmani takoi zyrtarë të administratës amerikane, kongresistë e senatorë, ministra nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues të think- tanks nga Amerika e Evropa, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Presidencës.

“Në takim me këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Biden, Jake Sullivan, Osmani, diskutoi lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor pas invazionit rus në Ukrainë si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet ky rajon”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore