Lajme

Osmani: Morëm mbështetje me fjalime, por na duhen hapa konkretë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për media pas takimit të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën, për perspektivën evropiane të saj, për liberalizimin e vizave, e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë”, ka deklaruar Osmani.

Megjithatë, ajo, përtej deklaratave, ka kërkuar “hapa konkret”.

“Ne e kuptojmë se votim nuk do të bëhet në këtë format, sidoqoftë besoj se deklarimet politike të shumicës që janë bërë sot në mbështetje të Kosovës tani duhet të kthehen në veprime konkrete dhe në votë në Këshillin e Ministrave”.

Gjithsesi, presidentja shtoi se “këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”.

Me “na leni të hyjmë brenda”, ka përfunduar fjalimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e Bashkimit Evropian, derisa gjatë gjithë fjalimit u ka kërkuar anëtarëve të BE-së që të reflektojnë e t’ia liberalizojnë vizat Kosovës, pasi “thjesht ka shkuar shumë larg”.

Prandaj, Osmani ka folur, me shpresën se “këtë herë na dëgjoni”, duke iu kërkuar vëmendje liderëve të BE-së.

Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor është përmbyllur me një foto familjare, si për të simbolizuar unitetin mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe krerëve të ftuar të Ballkanit Perëndimor.

Pas realizimit të fotografisë, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar konferencës për shtyp.

Gjatë ditës, liderët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian do të takohen për të diskutuar rreth zgjerimit të unionit. Përveç vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të trajtojnë edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova shpreson në dritën jeshile për liberalizimin e vizave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore