Lajme

Osmani në Samitin e BE-së: Thjesht ka shkuar shumë larg, këtë herë na dëgjoni


Vjosa Osmani

Me “na leni të hyjmë brenda”, ka përfunduar fjalimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e Bashkimit Evropian, derisa gjatë gjithë fjalimit u ka kërkuar anëtarëve të BE-së që të reflektojnë e t’ia liberalizojnë vizat Kosovës, pasi “thjesht ka shkuar shumë larg”.

Prandaj, Osmani ka folur, me shpresën se “këtë herë na dëgjoni”, duke iu kërkuar vëmendje liderëve të BE-së.

“Nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur”, deklaroi Osmani.

“Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni. Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”.

“Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit”.

“Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”.

“Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj”.

“Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj. Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike. Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë”.

“Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje”, ka përfunduar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore