Lajme

Osmani letër Bidenit: Ne llogarisim tek ju për të ecur përpara në rrugët euroatlantike


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden me rastin e 4 korrikut, 246 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së ShBA-ve.

Ajo përmes një letre ka treguar se e vlerëson shumë mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës në kohë të vështira.

“Në këtë kohë kyçe për botën tonë dhe për idealet tona të fituara me mund, ne vlerësojmë qasjen tuaj parimore dhe mbështetjen tuaj të palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë, pasi kontinenti ynë përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më shkatërruese të kohës sonë”.

Gjithashtu, në letrën e saj ka thënë se lidhja midis dy kombeve është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira.

“Gjatë dekadave të fundit, vendet tona jo vetëm që janë forcuar, por edhe jemi rritur së bashku. Në veçanti, populli i Republikës së Kosovës është mirënjohës për mbështetjen tuaj personale dhe të vazhdueshme”.

“Ndaj ne vazhdojmë të llogarisim tek ju, përderisa ecim përpara në rrugën tonë të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare që promovojnë vizionin tonë të përbashkët dhe qëllimet”, thuhet në letrën e Osmanit dërguar presidentit Biden.

Letra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ndaj presidentit të SHBA-së, Joe Biden.

Ndër të tjera, Osmani edhe ka arsyetuar pse SHBA-të vazhdojnë të jenë fanarë shprese.

“Ndërsa shumë gjëra kanë ndryshuar në rrjedhën e historisë, vendosmëria dhe shpirti i palëkundur i Etërve Themelues për të drejtuar Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake e botës ka mbetur e pranishme në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një fanarë shprese dhe mbrojtësi më i vendosur i idealeve tona të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë”.

Ndërkaq, këtë festë e ka konsideruar si me rëndësi të madhe edhe për Kosovën.

“Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t’u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t’u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun”.

Më 4 korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënuan 246 vjet që kur shpallën pavarësinë. 246 vjet më parë, në vitin 1776, u nënshkrua Dokumenti i Pavarësisë, duke vendosur që 13 kolonitë nga Amerika e Veriut të pavarësoheshin nga Mbretëria e Bashkuar.

Kushtetuta, u nënshkrua në vitin 1787, duke e ndarë pushtimin në ekzekutiv, legjislativ dhe juridik, apo presidenti, Kongresi dhe Gjykata.

George Washingtoni, hyri në histori të SHBA-së si presidenti i parë i shtetit.

Ekipi i Kongresit e miratoi dokumentin përfundimtar të Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1774, në të cilin punuan dy ditë. Kopjet e Deklaratës u shpërndanë në të gjitha mediat e asaj kohe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore