Lajme

Osmani: Kosova pro vazhdimit të dialogut me Serbinë


Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Nju Jork të SHBA-ve, ka takuar kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme të ofruar ndaj Kosovës.

Presidentja Osmani ka potencuar në takim se Kosova është për vazhdimin e dialogut me Serbinë, për të arritur një marrëveshje në mes dy shteteve.

“Kosova është për vazhdimin e dialogut me Serbinë, i cili do të rezultojë me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme dhe i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe ruajtje të karakterit unitar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ndërsa lidhu me situatën në veri të Kosovës, Osmani ka thënë se institucionet e shtetit janë duke vepruar përkitazi me marrëveshjet e arritura deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka përsëritur se vendosja e reciprocitetit për targat është në përputhje të plotë me zbatimin e marrëveshjes me Serbinë të vitit 2011 dhe 2016.

Ajo gjithashtu është shprehet se pret mbështetje nga Luksemburgu edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik.

“Kosova pret mbështetje nga Luksemburgu në çështjen e liberalizimit të vizave”.

Po ashtu, ajo në takim shfaqi gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në sferën e shkëmbimit ekonomik dhe tregtarë, dhe në fushat e tjera që janë në interes.

“Kosova ka ende nevojë për mbështetje, posaçërisht në shkëmbimin e përvojave dhe partneritetit për zhvillim të qëndrueshëm. Ne e çmojmë lart ndihmën e Luksemburgut në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidentja Osmani është takuar gjithashtu edhe me ish-presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton. Ajo ka falënderuar ish-presidentin Clinton për çdo gjë që ka bërë për Kosovën dhe popullin e saj.

“Të thuash se Kosova është e bekuar me miqtë më të përkushtuar dhe besnikë, do të ishte nënvlerësim. President Bill Clinton faleminderit për çdo gjë që ke bërë për popullin tonë”, ka shkruar Osmani në Twetter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore