Lajme

Osmani kërkon nga kryeministri i Tajlandës përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Tajlandës, Prayout Chan-o-cha.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, të dy fokus të bisedës e kanë pasur forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e Presidencës, në njoftimin e të cilës thuhet se Osmani i ka kërkuar kryeministrit të Tajlandës përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin e Tajlandës për mbështetjen e këtij shteti ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Tajlandës, Prayout Chan-o-cha.

Gjithashtu, Osmani ka theksuar se Kosova e sheh këtë shtet si aleat në këtë pjesë të botës.

“Ndaj është e interesuar që edhe me ndihmën e saj të ndërtojë marrëdhënie miqësore me shtetet e Azisë Juglindore”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur popullsinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor shtetëror.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Tajlandës, Prayout Chan-o-cha.

“Në këtë kontekst, presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor ku do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e Presidencës, përmes një njoftimi në të cilin thuhet se kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy të shtete të Azisë Juglindore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore