Lajme

Osmani kërkon mbështetje nga Lituania për anëtarësimin e Kosovës në KE


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Lituani, është pritur në takim nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte.

Osmani ka kërkuar nga kryeministrja Simonyte mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e në veçanti në Këshillin e Evropës, e poashtu mbështetje në bindjen e shteteve skeptike për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që vazhdimisht është përkrahur nga Lituania.

Të dy bashkëbisedueset kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore, dhe kanë konfirmuar angazhimin për thellimin e tyre, posaçërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyçe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO. Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Temë e takimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe kryeministres Simonyte ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.

Në këtë kontekst, Osmani ka potencuar mbështetjen e Kosovës ndaj popullit ukrainas.

“Pozicioni i Kosovës për Ukrainën  është plotësisht në përputhje me SHBA-në, BE-në dhe të gjitha vendet demokratike. Kosova ka miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe është duke ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për popullin e Ukrainës”, ka shtuar Osmani.

Ajo poashtu ka përmendur tendencat e Rusisë që nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë ta destabilizojë Ballkanin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore