Lajme

Osmani ia qan hallin Kurti-it: I sollën versione të tmerrshme përpara, pati presione të padrejta…


Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë detaje rreth takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku Kosova dhe Serbia u pajtuan për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt.

Sipas Osmanit, Kurtit i janë prezantuar dokumente dhe versione të tmerrshme rreth Marrëveshjes, të cilat shefi i qeverisë i ka refuzuar pavarësisht presioneve “jashtëzakonisht të padrejta”.

“Jemi informuar nga Kurti në detaje jo vetëm për dokumentet dhe versionet e ndryshme që kanë qenë para kryeministrit, të cilat janë versione të tmerrshme e të cilat Kosova shumë mirë që nuk i ka pranuar, pavarësisht presioneve jashtëzakonisht të padrejta, të cilat e kanë trajtuar Kosovën në mënyrë shumë të pabarabartë në raport me palën tjetër”, ka thënë Osmani.

Për Osmanin është e pakuptimtë se si dikush nga komuniteti ndërkombëtar propozon versione të tilla që vendosin njërën palë në një pozitë kaq të pabarabartë.

“Nganjëherë për mua si presidente e është vështirë të besojë që dikush nga komuniteti ndërkombëtar vërtet merr një iniciativë të tillë për të propozuar gjëra të tilla që e vendos njërën palë në një pozitë kaq të pabarabartë”.

Plani i zbatimit të Marrëveshjes, e dakordësuar më 18 mars në Ohër, sipas Osmanit, për fat të keq shumë gjëra ka lënë të pa qartësuara.

“Sepse aneksi është dashur të paraqes në detaje si do të zbatohen edhe pikat e tjera cilat do të jenë penalizimet për moszbatim të neneve”.

Osmani ndër të tjera e ka kritikuar edhe qasjen e Bashkimit Evropian në procesin e dialogut, i cili sipas Osmanit ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë.

“Që mendoj që si qasje po e rrezikon procesin e dialogut, por po edhe rrezikon paqen edhe stabilitetin në rajon sepse në një farë mënyrë po e inkurajon pastaj Serbinë të prodhojë krizë pas krize”.

Osmani ndryshe nga Lajçak’u: Neni 7-të dhe neni 10-të i Marrëveshjes në praktikë kanë një dallim

Presidentja Osmani, beson se neni 7-të dhe neni 10-të i Marrëveshjes së dakordësuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në praktikë kanë një dallim, ani pse i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, theksoi se Neni 7 nuk përfshinë zotime të reja për Kosovën, por flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar, pra themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sipas vitit 2013 dhe 2015.

“Neni 7 dhe Neni 10 i Marrëveshjes që të dyja në praktik kanë një dallim sepse neni 7 ka të bëjë vetëm më të drejtat e serbëve kurse neni 10 ka të bëjë me zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve që janë nënshkruar në Bruksel, jo vetëm të njërës që ka të bëjë me të drejtat e serbëve që natyrisht e përfshinë edhe Marrëveshjen e vitit 2013 sa i përket Asociacionit, sepse ajo e vitit 2015 është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë fillimisht Osmani.

Neni 7, i cili parasheh sigurim të një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, sipas Osmanit, nga komuniteti ndërkombëtar është interpretuar si zbatim i obligimeve që Kosova ka marrë në vitin 2013.

“Kjo për mua si presidente e Kosovës, nënkupton respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç e kam thënë nga viti 2015, bashkimi i komunave ose qytetarëve në Asociacione është e drejtë që tashmë Kosova e njeh me Kushtetutën e saj, e ka njohur me pakon e Ahtisaarit, e njeh me Ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe njihet me instrumentet e Këshillit të Evropës të cilat drejtpërdrejtë janë të aplikueshme në Kosovë”.

Neni 7, sipas Osmanit, kur fillon të zbatohet nënkupton një lloj dokumenti, i cili do të përcaktojë, jo vetëm të drejta por, edhe detyrime të cilat janë të përcaktuara me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore