Kosova

Osmani emëron Learta Hollajn shefe të stafit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shefja e stafit Learta Hollaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka emëruar, Learta Hollaj, shefe të stafit e cila deri tani kishte mbajtur postin e zëvendëses në të njëjtën pozitë.

Hollaj, është emëruar pas shkarkimit të Blerim Velës më 30 nëntor, teksa lajmin e ka bërë të ditur përmes një komunikate Zyra e Presidencës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar Shefe të Stafit, znj. Learta Hollajn, e cila deri tashti ka mbajtur postin e zv. Shefes së Stafit të Presidentes”, thuhet në komunikatë.

Hollaj, i ishte bashkuar ekipit të Osmanit para katër vite, ajo fillimisht shërbeu si këshilltare e kryetares së Kuvendit të Kosovës, e pastaj si zëvendës shefe e stafit të Presidentes.

“Hollaj ka qenë e fokusuar në politikën e jashtme, politikat në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, sektorin e energjisë, si dhe në avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Znj. Hollaj ka një përvojë disavjeçare në shoqërinë civile në Kosovë, me ekspertizë në qeverisjen demokratike, sektorin e energjisë, mbrojtjes së mjedisit dhe hulumtimit e avokimit në fushën e politikave publike”, thuhet në komunikatë.

Osmani e ka falënderuar Hollajn për angazhimin e deritashëm dhe i ka uruar suksese në përmbushjen e objektivave të Presidentes dhe Kabinetit të saj nga pozita e sapoemëruar.

Më 30 dhjetor Osmani, kishte emëruar Vasfije Krasniqin, të dërguar speciale presidenciale për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Krasniqi, kishte thënë se është e nderuar që është emëruar në këtë pozitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore