Lajme

Osmani largon nga pozita Blerim Velën


Blerim Vela

(Lajmi është i përditësuar)

Zyra e Presidentes ka konfirmuar se Blerim Vela ka përfunduar angazhimin e tij në Presidencë.

Në njoftimin që ka publikuar Presidenca e Republikës së Kosovës thuhet se Vela do t’i “kthehet angazhimit të tij profesional dhe familjes”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka larguar nga detyra e shefit të stafit të presidentes, Blerim Velën.

Vela ishte emëruar shef i stafit të presidentes Osmani tre vjet më parë.

Ndonëse në vendim nuk tregohet arsyeja e largimit të Velës nga kjo pozitë, ai ishte i njohur me mungesë të maturisë dhe degradim të pozitës së tij shtetërore me ofendimet e shumta në platformën sociale, X.Skandali i fundit i cili ngjalli reagim publik ishte komenti i tij i turpshëm ku ndërlidhi gazetarin shqiptar Fahri Musliu me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

E gjitha filloi kur opozita serbe filloi t’i thoshte Vuçiç-it se ai përngjan aq shumë në gazetarin Musliu dhe meqë për një kohë ai ka punuar në Beograd, Vuçiç është djali i një shqiptari.

Meqë është fushatë zgjedhore në Beograd, Vuçiç përdori këto sulme për t’u viktimizuar dhe doli me babanë e tij në një video ku thoshte se po sulmohet familja e tij dhe rrjedhimisht gjithë familjet serbe.

“Jam krenar me babin tim, është shumë më i mirë se unë dhe kam mësuar shumë prej tij. Ju them edhe njëherë babai im është Anxheliko, e dua pafundësisht dhe do ta shpëtojmë vendin nga ju”, thotë Vuçiç në video.

Kësaj videoje i reagoi – meqë s’ka punë tjetër – Vela.

Vela, duke përfshirë këtu gazetarin Musliu shkroi se “kjo është e kotë”, meqë për ta vërtetuar se nuk je djali i gazetarit shqiptar “duhet ta bësh me poligraf dhe testin e ADN-së”.

Por, s’u ndal me kaq, duke thënë edhe se përveç Vuçiç-it, duhet ta bëjnë bashkë “ti dhe Fahriu”.

Blerim Vela e shlyen cicërimën e turpshme – ndërlidhi gazetarin Musliu me Vuçiç’in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore