Kosova

Osmani e Milanoviç: “Open Balkan” ta trajtojë Kosovën në mënyrë të barabartë, në të kundërtën është iniciativë “pa lidhje”


Zoran Milanoviç dhe Vjosa Osmani në konferencë për media

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviç, ka folur për iniciativën “Open Ballkan” duke e konsideruar këtë iniciativë si shkelës i parimeve të bashkëpunimit rajonal dhe parimit të gjithëpërfshirjes.

“Kjo iniciativë e cila ka filluar në Novi Sad fillimisht e quajtur iniciativë Mini-Shchengen ka shkelur parimin e trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Sipas Presidentes, Kosova ka shqetësime të lidhura me qëllimet e kësaj inicative dhe qëllimet që Serbia ka në këtë iniciativë.

“Prandaj ne insistojmë që bashkëpunimi rajonal të vazhdojë në kornizën e procesit të Berlinit i cili udhëhiqet nga Gjermania. Kosova e ka bërë të qartë se alternative e vetme që e shohim për të ecur përpara drejtë strukturave euroatlantike është duke qenë pjesë e procesit të Berlinit”, ka thënë Osmani.

Vjosa Osmani

Ndërsa për Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, iniciativa “Open Ballkan” duhet t’i trajtoj të gjitha vendet në mënyrë të barabartë.

“Nuk na prek neve në mënyrë direkte, por nëse iniciativa ka qëllime të mira atëherë duhet ta marrim parasysh, por me kusht që të gjitha shtetet të trajtohen njëjtë, në të kundërtën atëherë duhet pyetur se cilat janë motivet e saja”, u shpreh Milanoviç.

Sipas tij nëse Kosova në këtë iniciativë nuk përfshihet në mënyrë të barabartë, atëherë kjo iniciativë është pa lidhje.

Mbështetje të fuqishme Milanoviç ka garantuar për njohjen e Kosovës, duke shtuar se nuk i kupton vendet që nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Madje ai ka potencuar se edhe Serbia duhet që të pranojë Kosovën sa më shpejt.

Presidenti kroat ka theksuar se do të punojë për të përcjellë në vendet tjera mesazhin se statusi i Kosovës duhet të njihet edhe nga vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur atë.

“Do të bëjë çfarë është e mundur që t’ua përcjelli porosinë time vendeve që nuk e njohin statusin e Kosovës, pasi që i njoh burrështetasit e shteteve të tjera për dy dekada. Njerëzit nuk janë të mirë-informuar sepse në Kosovë nuk kemi ndonjë rrezik humanitar, nuk kemi luftë”, ka thënë ai.

Zoran Milanoviç

Në anën tjetër Presidentja Osmani duke e ngritur lartë pozitën e Kroacisë në raporte me Kosovën ka thënë se Kroacia është ndër shtetet që ka qëndruar afër Kosovës në momentet më të vështira.

Sipas saj Kroacia është aleati kyç i Kosovës.

“Ne mund të mësojmë shumë nga eksperienca e Kroacisë si shtet anëtarë i Bashkimit Evropian. Në radhë të dytë si anëtarë i NATO-s. E kupton drejtë se sa është e rëndësishme që edhe Kosova të jetë pjesë e NATO-s duke kontribuar në paqen dhe sigurinë e rajonit”, ka shtuar ajo.

Presidentja e vendit, gjatë konferencës ka komentuar edhe procesin e njohjeve të Kosovës, duke nënvizuar se kushdo që për interesa personale ose çfarëdo qofshin ato tenton që të bëj publike përpjekjet drejt njohjeve ende pa arritur rezultatin vetëm dëmton interesin e vendit.

“Si presidente bashkëpunoj me të gjitha institucionet dhe të gjithë zyrtarët institucional që kanë qëllim të avancojnë konsolidimit të shtetit përmes shtimit të njohjeve”, ka thënë Osmani.

Për Osmanin Kosova meriton që të njihet nga e gjithë bota demokratike nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së sepse nuk ka asnjë arsye qoftë historike, politike e ligjore që do t’i jepte dikujt arsye që të mos e njihte Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore