Lajme

Osmani e Konjufca përkujtojnë heroin Luan Haradinaj: Ai dhe liria ishin dhe janë një


Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin Luan Haradinaj, në 26-të vjetorin e rënies heroike.

“Luan Haradinaj, 26-vjet më parë e fitoi përjetësinë, duke i dalë zot atdheut, duke u flijuar për lirinë dhe Republikën”, ka thënë Osmani.

Osmani pohoi se më 6 maj të vitit 1997, “Luani u vra nga forcat e regjimit gjenocidal serb, në rrugëtimin e tij të fundit për në Shqipëri. Rrugëtimi i tij u ndërpre, porse jo ëndrra e tij për idealin e brezave”.

“Prandaj, Luani dhe liria ishin dhe janë një!”.

Heroi Luan Haradinaj

Ndërkaq, e para vendit nënvizoi se “ai së bashku me familjen dëshmuan përkushtim, trimëri, guxim dhe kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin!”.

“Luani dhe të gjithë dëshmorët e Republikës i japin kuptim lirisë sonë, shtetit tonë dhe të ardhmes së brezave”.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Luanin dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së!”, përfundoi ajo.

Po ashtu, veprën heroike të heroit Luan Haradinaj, e ka vlerësuar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Në këtë ditë të veçantë, përkujtojmë me respekt dhe nderim një hero të vërtetë, Luan Haradinaj. Ai nuk ishte vetëm një luftëtar i përkushtuar, por një frymëdhënës i vërtetë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Konjfuca tha se duke qenë një nga bërthamët e para të rezistencës së armatosur në Dukagjin, Luan Haradinaj tregoi zell dhe shkathtësi të jashtëzakonshme në organizimin e grupeve të armatosura.

“Gjenerali do të mbahet mend për guximin, zellin, shkathtësitë e jashtëzakonshme, solidaritetin dhe kujdesin që tregoi për bashkëluftëtarët dhe popullin e tij”.

Gjithashtu, kreu i Kuvendit pohoi se “Luani ra në betejë, por shpirti dhe sakrifica e tij do të jetojnë gjithmonë në kujtesën tonë”.

“Vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e tij vazhduan rrugën e çlirimit dhe në fund arritën qëllimin e tyre, pavarësinë e Kosovës. Ne sot nderojmë simbolin e guximit dhe përkushtimit për lirinë. Le të vazhdojmë rrugën e tij të ndriçuar me dëshirën për një Kosovë të prosperuar”, tha ai.

Ndërsa, gjatë ditë në përvejetorin e 26-të të rënies së heroit, Luan Haradinaj e ka përkujtuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por edhe krerët e partive opozitare.

Të gjithë këta, njëzëri vlerësuan kontributin dhe sakrificën e heroit Luan Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore