Lajme

Orban kërkon nga Vuçiç-i të lirojë tre policët e Kosovës


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit dhe t’i kthejë policët e Kosovës në vendin e tyre.

Këtë deklaratë Orban e ka bërë në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

Sipas tij, kjo do t’i ndihmonte Serbisë në kauzën e vet.

“Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”.

Situata u tensionua në Veri të Kosovës kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj.

Protestuesit serbë e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, që nga 26 maji ata janë duke protestuar kundër këtij vendimi.

Gjatë kësaj periudhe nga Serbia janë arrestuar tre policë të Kosovës ata pretendojnë se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por nga Kosova u tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Pas këtij veprimi Kosova ka ndaluar hyrjen e produkteve të Serbisë në Kosovë.

Edhe bllokimi i qarkullimit në pikat kufitare me Serbinë, vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët, gjatë kësaj periudhe mbi 30 gazetarë janë sulmuar nga grupet kriminale të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore