Kosova

Opozita për Strategjinë Kombëtare të Sigurisë “ka mangësi të mëdha”


Kuvendi i Kosovës.

Opozita e ka kundërshtuar Strategjisë Kombëtare të Sigurisë për periudhën 2022-2027 të prezantuar nga kryeministri, Albin Kurti të hënën në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tyre, në këtë strategji ka “mangësi të mëdha”.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Reshit Qelaj, ka thënë se edhe pse dokumenti ka ardhur në Komisionin e Sigurisë, nuk janë lejuar ndryshimet.

“Është e vërtetë që dokumenti ka ardhur në Komision dhe është e vërtetë që ne e kemi diskutuar me kolegët e të gjitha grupeve parlamentare. Por problemi, ka qenë qe ne nuk kemi mundur të inkorporojmë as edhe një pik të vetme meqenëse ka qenë një dokument i miratuar dhe i hartuar dhe kontributi i deputeteve ka qenë zero”.

Ai ka kërkuar që kjo strategji të hartohet mirë, duke treguar edhe mënyrën se si mund të jetë i hartuar në formë të duhur.

“Një strategji e sigurisë do të duhej të ishte e hartuar mirë dhe që të hartohet mirë, ajo do të duhej të ishte e bazuar në memorien institucionale, ajo duhet të jetë e bazuar në analizën e sektorit të sigurisë dhe po ashtu që një strategji të jetë e hartuar mirë duhet të merren parasysh inputet e ekspertëve, inputet e partive politike, e shoqërisë civile”.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Reshit Qelaj.

“Partia Demokratike e Kosovës, ka disa rekomandime për këtë arsyeje do të kishte lutur Qeverinë ta kthejë këtë draft të strategjisë së sigurisë në pikën fillestare”.

Një kërkesë të ngjashme, që ky draft të kthehet në pikat fillestare e ka pasur edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni.

“Unë e kam një lutje e kam një kërkesë që ky dokument të tërhiqet. Kryeministri të siguroj bashkëpunim ndërinstitucional, të siguroj ekspertizë të lartë, të ketë në konsideratë zhvillime globale me theks të veçantë ngjarjet në Ukrainë dhe të kërkoj ndihmë nga partnerët”, deklaroi Quni.

Ai konsideron se Kosova ka përvojë të mjaftueshme në këtë drejtim.

“Jam i bindur se ne kemi përvojë dhe kapacitete të ndërtojmë një strategji duke u bazuar në rreziqet, mundësitë dhe përvojat i cili pastaj do të shërbejë si dokument referues për strategjitë sektoriale”.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni

Ai shtoi se në siguri duhet të përfshihen edhe “rreziqe si cilësia e ultë e arsimit, shërbimet e dobëta shëndetësorë, rrezikimi mbikëqyrës demokratike, varfërimi i qytetarëve”.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se ky projektligj është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Kjo strategji, është strategjia e dytë që nga shpallja e pavarësisë dhe për një kohë të gjatë ka pasur tentime të pasuksesshme. Ky dokument edhe në bazë të vlerësime nga partnerët ndërkombëtarë është një përmirësim i madh krahasuar me draftet e kaluara të qeverive paraprake”.

“Në të njëjtën kohë, ky dokument paraqet një analizë tejet të detajuar te kontestit global dhe regjional që është edhe në linjë të politikave dhe partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Dugolli.

Ai është përgjigjur edhe në akuzat e Berishës që ky dokument nuk është prezantuar para Komisionit të Sigurisë.

“Kuvendi ka rol që ta miratoj dokumentin, por jo që në fazat e mëhershme të këtë funksione aktive normal që ky dokument ka ardhur dhe është prezantuar, por zotëri Berisha nuk e ka parë dhe nuk kemi çfarë të bëjmë”.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli

Ndryshe, dokumenti për Strategjinë e Sigurisë është prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Edhe, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, dokumentin e prezantuar në Kuvendin e Kosovës për periudhën 2022-2027 e ka quajtur strategji “dokument franshtajn”.

“Kjo strategji është dokument franshtajn. Do të thotë i përbërë prej dokumenteve paraprake, po ashtu të dobëta, por sikur i përforcuar pak nga fjalimet e kryeministrit”, tha Berisha.

Kritika adresoi edhe ndaj personit që ka përpiluar këtë dokument.

“Ky dokument është bërë nga një zyrtarë i shtetit, të cilin e falënderoi për mundin që e ka bërë por nuk është ekspertë dhe nuk ka ditur me bë këtë. Ai është një djal i ri punon qaty në kryeministri”.

Derisa është ndërprerë disa herë nga kryekuvendari, Glauk Konjufca.

Kurti: Për Strategjinë e Sigurisë jemi konsultuar edhe me ambasadorët e QUINT-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore