Lajme

Opozita fajëson Muratin, ai fajëson opozitën për vonesën e projektligjeve


Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është përplasur me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.

Teksa është shqyrtuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, Hoti kritikoi Muratin për vonesën e projektligjeve.

Ndërsa për këtë Murati fajësoi opozitën.

“Pse është shtyrë që një vit ky projektligj, cila është arsyeja që ka qëndruar kaq gjatë”, pyeti Hoti.

Kurse Murati u përgjigj duke thënë se, “tash dinamika e punës së kuvendit, ju takon juve si deputetë që të flisni. Ne si qeveri e kemi sjellë në muajin prill dhe ju takon juve si deputetë që t’i përshpejtoni ose jo”.

Po ashtu ish kryeministri i Kosovës, e ka quajtur “mashtrues tipik” ministrin aktual të Financave duke i thënë se të shkoi mandati, “pa ta parë hajrin askush”.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti

“A po e sheh se je mashtrues tipik. Qiteni në votim dhe dërgojeni në Kuvend. Pse po thoni se opozita po e pengon kur ju jeni mazhorancë. Nuk je i zoti për asgjë. Prej që ke ardhur si ministër asnjë reformë nuk ke bërë. Veç dëgjomë kur të flasë”.

“Asnjë reformë a argument nuk e ke ndërmarrë. Ke mashtruar e fyer opinionin. Po shkon mandati pa ta pa hajrin askush”.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka pasur kërkesë ndaj Hotit që të fshihen nenet që kanë të bëjnë me veterantët.

Sipas tij, përjashtimi i veteranëve është i papranueshëm.

“Është e drejtë ligjore, kushtetuese dhe humane andaj kërkojmë që të fshihet kjo pikë” ka thënë Shala.

Teksa ka potencuar se nuk pranojnë një formë të ttillë të ligjit që përjashton veteranët nga përfitimi i rritjes së pagës minimale.

“Ne nuk pranojmë të vazhdojmë me tutje nëse nuk largohet ky nen”, ka thënë Shala, duke shtuar se nuk do të marrin pjesë në asnjë pikë tjetër nëse nuk bëhet kjo.

Ndërsa ministri i Financave bëri të ditur se po mundohen të krijojnë hapësirë për rritjen e pagës minimale për punëtorët e sektorit privat që janë me pagë nën nivelin 170 euro.

Duke sqaruar se çështja e pensioneve të tjera do të bëhet në mënyrë të veçantë.

Shala i ka potencuar Muratit se kjo kërkesë është edhe më e arsyshme duke e pasur parasysh edhe situatën aktuale në Veri.

“Sot është edhe më e arsyeshme duke e parë situatën në veri dhe kur po e shihni se nuk po ju kryejnë punë mercenarët”, ka thanë Shala, duke iu drejtuar ministrit të Financave Hekuran Murati.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se është mirë që paga minimale për këtë vit të jetë 370 euro.

“Nëse e lënë pagën 270 euro unë nuk shoh që kemi bërë diçka pasi siç e dini pak kush ka page të tillë tani”, ka thënë ai.

Ministri Murati ka thënë se gjatë vitit të kaluar ka pasur disa takime me shoqatat e të dala nga lufta.

Duke thënë se propozimi ka qenë që të ketë një ligj të ri dhe që fillimisht të bëhet pastrimi i listave e më pas të këtë edhe trajtim të dinjitetshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore