Opinione / Kolumnistët

Bosnja ndryshoi, Republika Srpska votoi Putinin


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje dhe Hercegovinë përfunduan të dielën më 2 tetor me një pjesëmarrje prej 50% nga 3 milionë votues.
U votua për rinovimin e të gjitha organeve institucionale të Bosnjë-Hercegovinës, si në nivel federal ashtu edhe në dy entitetet – Republika Srpska dhe Federata Kroato-Muslimane, secila prej të cilave ka parlamentin, qeverinë dhe organet e saj gjyqësore.

E gjitha në një kontekst ndër më të vështirët nga pikëpamja ekonomike dhe politike pas 27 vitesh nga përfundimi i luftës dramatike civile (1992-1995). Lufta që pasoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë së Titos.

Bosnja është në fund të listës së vendeve evropiane për papunësinë, pagat mesatare dhe minimale dhe përqindjen e njerëzve që jetojnë në varfëri relative ose absolute me inflacion aktualisht në 17.7%, më i larti që nga fundi i luftës në 1995 pas Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it.
Marrëveshje që i dha fund luftës, por krijoi një labirint të komplikuar juridiksionesh që lejon tre grupet kryesore etnike të dominojnë politikën e brendshme dhe të ushtrojnë kontroll mbi proceset kyçe të vendimmarrjes.

Bosnja sot ka dy njësi kryesore administrative: Republika Srpska (me shumicë serbe) dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës me shumicë kroato-boshnjake. Kjo e fundit është e ndarë më tej në dhjetë kantone, ndërsa qyteti verilindor i Brçkos është caktuar si një qark autonom. Rezultati është një sistem me 14 qeveri të ndryshme për një total prej 136 ministrash.

Presidenca është trepalëshe, me çdo anëtar të zgjedhur për një mandat katërvjeçar që përfaqëson një nga tre grupet etnike, parlamenti është dy-dhomësh, i ndarë midis deputetëve dhe Dhomës së Popullit, e cila ka për detyrë të sigurojë që çdo ligj i propozuar të mos shkelë parimin e interesit “jetik” të Bosnjës.

Duke qenë se në zgjedhje janë të pranishme 72 parti politike, 38 koalicione dhe 17 kandidatë të pavarur, mund të themi me siguri se sistemi kushtetues i dalë nga Dayton ka krijuar një nga sistemet më të komplikuara zgjedhore duke fuqizuar nacionalistët dhe duke krijuar një ngërç në politikë me kriza të zgjatura. Politika boshnjake e pasluftës e dominuar nga partitë nacionaliste nuk bëri gjë tjetër veçse nxiti ndarje sektare.

Por në zgjedhjet e fundit duket se votuesit boshnjakë kanë zgjedhur qartë mbi të gjitha koalicionet e aktorëve reformistë. Asnjëherë më parë nuk kishte pasur një votë kaq të fortë kundër liderëve dhe partive nacionaliste.

Humbësit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve janë padyshim Partia e Veprimit Demokratik (SDA) e myslimanëve boshnjakë dhe lideri i saj Bakir Izetbegoviç (djali i Alija Izetbegoviç). Që nga viti 1995 nuk ka ndodhur asnjëherë që një anëtar i familjes Izetbegovç të mposhtet nga Partia Social Demokrate (SDP). Ishte kandidati Denis Beçiroviç ai që ia doli mbanë.

Ndoshta nuk është rastësi që Beçiroviç, profesor i historisë bashkëkohore të vendeve të Evropës Juglindore dhe anëtari i ardhshëm boshnjak i presidencës federale vjen nga Tuzla, i konsideruar si qyteti më i majtë dhe më pak nacionalist në të gjithë Bosnje-Hercegovinën.

Një tjetër humbëse është partia e Bashkimit Demokratik Kroat të Bosnjës (HDZ-BIH), partia më e madhe kroate. Kandidati presidencial i partisë nacionaliste kroate të Bosnjës e humbi konkurrencën ndaj Zheljko Komshiçit, kreut të Frontit Demokratik, një parti multietnike me frymëzim socialdemokrat.

Komshiç mori 53.6% të votave kundrejt 46.4% të Borjana Kristos. Zeljko Komsiç, është ish-socialdemokrat dhe tani kryetar i partisë së Frontit Demokratik.

Fitoret e Beciroviç dhe Komshiç tregojnë se për herë të parë në histori shumica e ekzekutivit boshnjak do të përbëhet nga të majtë dhe antinacionalistë.

Një skenar tjetër në vend të kësaj ka ndodhur në Republika Srpska. Fituesja është Partia e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) e Republika Srpska, entiteti me shumicë serbe të Bosnjës.

Partia që ka pak lidhje me emrin, përfaqëson forcën më të fortë secesioniste në vend, e mbështetur hapur edhe nga presidenti rus Vladimir Putin. Rolin e anëtares serbe të presidencës do ta mbajë Zheljka Cvijanoviç, gruaja e parë që do të zgjidhet ndonjëherë në presidencën trepalëshe.

Cvijanoviç është mbështetëse e vendosur e Milorad Dodik, ish-president federal dhe tani i zgjedhur për herë të tretë si president i Republikës Srpska (RS).

Milorad Dodik, populist, mik i Putinit dhe president në largim, ka vendosur të mos rikandidojë për t’u zgjedhur i vetëm president i RS-së.
Zgjedhja e tij ishte veçanërisht kritike. Në fakt, menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, rivalja e tij, po aq nacionaliste dhe pro-serbe,

Jelena Triviç nga Partia Demokratike e Progresit (PDP) ishte shpallur fituese, madje duke nisur edhe festimet në rrugë. Por numërimi i votave reale përmbysi parashikimin duke i dhënë fitoren Dodikut me mbi 28 mijë vota (48.3% kundrejt 43.2%).

Që nga mbyllja e qendrave të votimit, Dodik dhe Triviç janë përfshirë në një konfrontim të ashpër verbal dhe pas zgjedhjeve opozita në RS kërkon rinumërimin e votave.

Ndërhyrja serioze perëndimore

Por surpriza e vërtetë e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte vendimi më se i diskutueshëm i Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, për të imponuar reformën e ligjit zgjedhor menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Figura e Përfaqësuesit të Lartë u krijua nga Marrëveshja e Dayton-it për të mbikëqyrur respektimin e marrëveshjeve të paqes, si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ajo njihet me të ashtuquajturat “Fuqitë e Bonit”, që do të thotë se autoritetet e gjera ekzekutive bëjnë të mundur ekzekutimin e vendimeve detyruese nëse administratat vendore rezultojnë të paaftë ose ngurrojnë të veprojnë.

Ishin këto kompetenca që Schmidt përdori për të ndryshuar ligjin zgjedhor të vendit më 2 tetor, pa i dhënë parlamentit të ri të vendit një mundësi për të paraqitur paketën e tij të reformave.

Schmidt ka vendosur të imponojë ndryshime me efekt të menjëhershëm në lidhje me zgjedhjen indirekte të Dhomës së Popullit, duke vazhduar kështu rrugën e ndjekur në korrik të këtij viti kur kishte vendosur të bënte një sërë ndryshimesh teknike në legjislacionin zgjedhor.

Siç thuhet në një njoftim për shtyp të lëshuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, qëllimi i paketës së re të ndryshimeve në ligjin zgjedhor është të përmirësojë funksionimin e institucioneve të Federatës së BeH dhe të sigurojë që vullneti i qytetarëve, i shprehur në mënyrë demokratike të respektohet.

Ndryshimet në fjalë kanë të bëjnë me negociatat pas zgjedhore dhe formimin e organeve të pushtetit të zgjedhur me votim indirekt, duke parashikuar futjen e disa mekanizmave që synojnë shmangien e bllokimit të institucioneve, si dhe afate më të rrepta për të siguruar funksionimin e duhur të sistemi politik i FBeH. Parashikohen edhe dënime për mosrespektim të afateve të reja.

Schmidt ndihmoi në çimentimin e një status quo-je nacionaliste dhe për t’i siguruar një monopol të jashtëzakonshëm pushteti njërës prej partive nacionaliste që përbëjnë oligarkinë në pushtet, HDZ-së, në grupin parlamentar të dhomës kroate, që do të thotë në të gjithë dhomën, pasi nevojiten vetëm dy të tretat e grupit parlamentar për të kërkuar veto.

Krahas përmbajtjes specifike të ndryshimeve që do të favorizonin nacionalistët kroatë, kishte mbi të gjitha dy elemente që ndezën debatin: koha dhe papërshtatshmëria e kësaj zgjedhjeje.

Është evidente se ndryshimi i rregullave të lojës një moment pas përfundimit të lojës është jo vetëm i papërshtatshëm, por edhe i rrezikshëm për stabilitetin e institucioneve. Vendosja e rregullave të reja është një zgjedhje politike që diskrediton ndjeshëm si mekanizmin e votimit demokratik, ashtu edhe legjitimitetin e vetë institucioneve.

Një ndërhyrje nga Përfaqësuesi i Lartë, cilësuar nga shumë analistë si i tepruar dhe jodemokratik.

Delegacioni i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë u distancua menjëherë nga vendimi i Schmidt. “BE merr parasysh vendimin e Përfaqësuesit të Lartë për të amenduar Kushtetutën e Federatës së BeH dhe Ligjin Zgjedhor të BeH. Ky është një vendim i marrë vetëm nga Përfaqësuesi i Lartë. Kompetencat ekzekutive të Përfaqësuesit të Lartë (kompetencat e Bonit) duhet të përdoren vetëm si një masë e fundit kundër keqbërjeve të pariparueshme”, thuhet në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga delegacioni i BE-së në BeH.

Deklarata thekson se përmirësimi i funksionimit të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës është prioriteti kryesor në rrugën e BeH drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkaq duartrokitje erdhën nga ambasada e SHBA-ve, e cila foli për “veprim urgjent dhe të nevojshëm” që synon “forcimin e stabilitetit dhe funksionalitetit të Bosnjë-Hercegovinës”.

Është e qartë, megjithatë, që Përfaqësuesi i Lartë veproi në mbështetje të një partie nacionaliste dhe ekstremiste që ka shpenzuar vite në pengimin e formimit të qeverisë dhe në mënyrë eksplicite duke koordinuar lëvizjet e saj me partinë serbe SNSD të RS (e para gëzon mbështetjen e Zagrebit dhe Budapestit dhe e dyta mbështetjen e Beogradit dhe Moskës). Dhe këtë e bëri menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, ku qytetarët boshnjakë kishin demonstruar qartë kundërshtimin e tyre në rritje ndaj establishmentit nacionalist.

Pasojat politike mbeten për t’u parë. Në çdo rast, përfaqësuesit e rinj do të duhet të përballen me protagonizmin e fortë të Përfaqësuesit të Lartë, i cili, ndryshe nga sa pritej, mund të ngadalësojë procesin e demokratizimit dhe pavarësinë politike të vendit, duke imponuar zgjedhjet e veta në rast ngërçi.

Bosnja mund të bëhet më pak e qëndrueshme falë veprimit të Schmidt, i cili objektivisht ka dekurajuar kompromisin dhe moderimin midis liderëve lokalë dhe rajonalë.

Nuk na mbetet veçse të shohim se çfarë do të ndodhë.


Lajmet kryesore