Shqipëria

Operacioni “Shpirti”, SPAK jep pretencën për 8 nga të arrestuarit


Prokuroria e Posaçme të mërkurën e 1 qershorit ka dhënë pretencën për tetë nga të arrestuarit në kuadër të operacionit “Shpirti”, të cilët akuzohen për trafik droge.

Konkretisht SPAK ka kërkuar 20 vite burg për Ilirjan Ducellarin, 18 për  Mariglen Ducellarin. Ndërsa nga 15 vite secili për: Aurel Kalarin, Kleo Piron, Organ Ducellarin, Julian Bejdollarin, Rexhino Mucajn dhe Alban Koshin.

30 dhjetor të vitit që lamë pas, SPAK-u dërgoi për gjykim dosjen “Shpirti”.

Kujtojmë që, në kuadër të operacionit “Shpirti”, u arrestuan 28 persona më 2 korrik të vitit 2021. Në total ishin 38 urdhra arresti nga SPAK-u, por dhjetë ishin ekzekutuar më herët.

Ky operacion u arrit falë bashkëpunimit të SPAK-ut dhe Antimafias italiane.

Si nisi ky operacion?

Faktet e diskutuara në hetimin e titulluar “Kulmi” nga DIA Italiane dhe policia shqiptare, datojnë në vitet 2017-2018.

Hetuesit dokumentuan se Puglia ishte baza kryesore logjistike e organizatave kriminale shqiptare për shitjen e drogës në të gjithë territorin italian.

Gjatë dy viteve të hetimeve, më shumë se tre tonë e gjysmë drogë me vlerë mbi 40 milionë euro u sekuestruan për një total prej rreth 7 milionë dozash.

Nga 16 të dënuarit, katër janë autorë italianë. 12 janë trafikantë shqiptarë, për të cilët gjykatësi ka urdhëruar dëbimin e tyre.

Hetimi i një viti më parë çoi në 38 arrestime të kryera midis të dy vendeve dhe sekuestrime të pasurive me vlerë 4 milionë euro, përfshirë një fabrikë kafeje në Vlorë.

Hetimi gjithashtu kishte konstatuar bashkëpunimin e një karabinieri, Giuliano Pasquale, tashmë i dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burg.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë ndihma e trafikantëve të drogës për të prodhuar dokumente të rreme, duke i informuar gjithashtu për hetimet e vazhdueshme kundër tyre.

Kush janë të arrestuarit?

Operacioni i bashkërenduar ndërkombëtar është kurorëzuar me arrestimin e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota.

Sota, së bashku me disa funksionarë të tjerë, akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Më 4 korrik 2021 Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi ndryshimin e masës nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie”.

Maksim Sota

Mbrojtja kërkoi ndryshimin e masës për arsye shëndetësore të Prokurorit Sota.

Në vijim të arrestimeve është bërë ndalimi i Ilirjan Ballës, shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këta dy zyrtarë gjenden aktualisht në “arrest shtëpie”.

Gjithashtu është arrestuar Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajë, si dhe Festim Lelaj, ish-oficer policie.

Mes tyre gjenden edhe dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Hekuran Marku dhe Agustin Deda.

Këta të fundit në vitin 2016, sipas SPAK-ut, kanë garantuar nga Shqipëria, jo vetëm nga ana tokësore, por dhe detare, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore