Lajme

Operacioni që dëshmoi se lufta mund të fitohet vetëm nga forcat ajrore


Ilustrim

Ora shënonte 20:00 në Prishtinë.

Nga Bulevardi “Leopold III” në Bruksel, në selinë e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, udhëheqësi i saj, Javier Solana, urdhëroi Komandantin Suprem të Forcave të NATO-s, Wesley Clark të nis operacionin e koduar “Operation Allied Force”.

Të mërkurën e 24 marsit për shumë kënd kishte filluar numërimi mbrapsht i “orës zero”. Ora zero në teori është koha e caktuar për fillimin e çdo ngjarje apo veprimi, një kohë vendimtare ose kritike.

F/A-18 Hornets të Forcave Ajrore Spanjolle ishin avionët e parë të NATO-s që bombarduan Beogradin dhe kryen operacione SEAD që në shqip do të thotë Shtypja e Mbrojtjes Ajrore të Armikut – strategji e cila parasheh dominimin e sipërfaqes ajrore të kundërshtarit.

Në ndihmë të avionëve luftarak atë natë dolën edhe raketat BGM-109 Tomahawk që u gjuajtën nga anijet dhe nëndetëset në Adriatik.

Në fushatën e bombardimeve të NATO-s, të cilët zgjatën plot 78 ditë, morën pjesë rreth 1 mijë avion që operonin nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani dhe nga aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt që lundronte në detin Adriatik.

Për 10 javë avionët e NATO-s realizuan mbi 38 mijë misione ushtarake në territorin e ish-Jugosllavisë duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish dhe Novi Sad.

Avionët e NATO-s kishin bombarduar edhe disa caqe ushtarake në Mal të Zi, përfshirë aeroportin ushtarak në Podgoricë dhe një objekt ushtarak në Danilovgrad si dhe disa kazerma ushtarke midis Tivarit dhe Ulqinit dhe midis Budvës dhe Sutomores.

Përveç fuqisë ajrore të aeroplanëve luftarakë, misioni i NATO-s gjatë realizimit të operacionit ushtarak u mbështet edhe nga një batalion helikopterësh Apache nga Regjimenti i 11-të i Aviacionit të Ushtrisë Amerikane.

Fushata e Bombardimit të NATO-s fillimisht ishte projektuar për të shkatërruar mbrojtjen ajrore jugosllave dhe objektivat ushtarake strategjike.

Megjithatë vetëm pas ditës së tretë të nisjes së bombardimeve, NATO-ja kishte arritur të shkatërronte pothuajse të gjitha pikat strategjike ushtarake në Jugosllavi.

Por, çfarë dëshmuan Bombardimet e NATO-s?

Sipas gazetarit dhe historianit ushtarak, John Keegan, Lufta e Kosovës kishte shënuar një kthesë në historinë e luftës.

Meqenëse në betejën Diplomaci vs Luftë kishte triumfuar kjo e fundit, Operacioni Ajror i NATO-s në këtë rast, sipas profesorit britanik kishte dëshmuar se lufta mund të fitohet vetëm nga forcat ajrore.

Kampanja e Bombardimeve gjatë luftës në Kosovë ishte ndërhyrja e dytë më e rëndësishme e NATO-s në hapësirat e ish-Jugosllavisë pas bombardimit të pozicioneve të forcave ushtarake të serbëve të Bosnjës e Hercegovinë rreth Sarajevës dhe në pjesët e BeH-së që ishin nën pushtimin e forcave serbe gjatë vitit 1995.

Fushata e bombardimeve të NATO-s nga shumë kush, ishte cilësuar si një akt i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe mesazh i qartë i botës demokratike dërguar regjimit të Millosheviçi.

Kjo fushatë, po ashtu kishte simbolizuar sukses të madh edhe për vet NATO-n, meqenëse aleanca kishte dhënë një ndër provimet më të rënda gjatë historisë së ekzistimit të saj.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar gjithashtu edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Bill Clinton

Pse ishte e nevojshme ndërhyrja?

Ishte, Bill Clinton, ish-presidenti amerikan, ai i cili në mënyrë brilante në fjalimin historik drejtuar popullit amerikan, në natën kur forcat ushtarake amerikane, bashkë me aleatët e NATO-s, kishin filluar bombardimet në Serbi, për t’i dhënë fund terrorit në Kosovë, kishte argumentuar domosdoshmërinë e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë.

“Sonte dua të flas me ju për tragjedinë në Kosovë dhe pse ka rëndësi për Amerikën”, thoshte fillimisht ai.

Në fjalimin ikonik, që tashmë përbën moment të kthesës historike për shqiptarët, Clinton kishte shpjeguar amerikanëve se ku është Kosova, kush janë njerëzit e këtij vendi të vogël dhe pse ia vlen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përfshihen në këtë kampanjë ushtarake.

Clinton kishte folur edhe për përpjekjet amerikane për të bërë paqe fillimisht dhe tregon se në këto përpjekje cili ishte bashkëpunimi shqiptar dhe cili refuzimi serb.

“Edhe pse shqiptarëve nuk iu dhamë krejt çfarë deshën, edhe pse njerëzit e tyre ende po trajtoheshin egërsisht, ata e panë se një paqe e drejt është më e mirë se sa një luftë nga e cila nuk fiton askush”, thotë pos tjerash Clinton në fjalimin e gjatë mbi 13 minuta.

Duke vazhduar me shtrimin e arsyeve për amerikanët dhe brutalitetin në terren nga serbët, Clinton thoshte se dhënia fund e kësaj tragjedie është një detyrim moral për SHBA-në dhe botën e civilizuar.

“Përveç se imperativ moral, është gjithashtu e rëndësishme për interesin nacional amerikan”, shtonte ai

“Hidhjani një sy kësaj harte. Kosova është një vend i vogël, por qëndron mu në qendër të rripit mes Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, në vendtakimin e islamit dhe degëzimeve perëndimore të krishterimit dhe ordodoksizmit”.

Bombardimet e NATO-s janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore