Lajme

Onkologjia demanton raportimet për mungesë të shërbimeve: Asnjë pacienti nuk i ka munguar shërbimi


Klinika e Onkologjise.

Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinika Universitare të Kosovës (QKUK), ka demantuar raportimet se pacientët janë duke pritur në radhë të gjata për të marrë shërbimet.

Nga kjo klinikë është thënë se asnjë pacienti nuk i ka munguar shërbimi.

“Në lidhje me shkrimin “Radhë të gjata në Onkologji, pacientët të tmerruar me çmimet e medikamenteve”, Klinika e Onkologjisë reagon, duke sqaruar publikun se gjatë ditës së djeshme në Klinikën e Onkologjisë janë ofruar shërbime për 330 pacientë në Shërbimin e Kemioterapisë dhe 100 pacientë kanë marrë trajtim me rrezatim, asnjë pacienti nuk i ka munguar shërbimi”, thuhet nga Klinika e Onkologjisë.

Teksa, për sigurimin e medikamenteve është pohuar se ka mungesë “të vogël”.

“Të gjithë pacientët që kanë pasur nevojë për trajtim janë mjekuar sipas rregullit dhe protokolleve, pa asnjë problem. Sa i përket ilaçeve, shumica janë ofruar në klinikë, me ndonjë mungesë të vogël”.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Nga kjo sëmundje në Kosovë regjistrohen çdo vit pothuajse 1 mijë e 500 raste të reja.

Në këtë klinikë brenda 24 orësh, shërbime marrin rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Klinika e Onkologjisë i ka rreth 60 shtretër dhe vazhdimisht ballafaqohet me mungesë të barnave.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore