Shqipëria

Olsian Çela pas takimit me prokurorët e Fierit dhe Vlorës: Hetim i plotë i krimeve zgjedhore


Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë ditës së hënë, 17 maj, ka zhvilluar takime me prokurorët në qytetin e Fierit dhe Vlorës.

Çela bëri me dije se gjatë takimit u diskutua për hetimin në mënyrë të plotë të të gjitha krimeve zgjedhore.

“Qëllimi i vizitës, janë hetimet për denoncimet për krimet zgjedhore në kuadër të takimeve që po bëhen në Prokuroritë e Rretheve. Rëndësi hetimi korrekt për këto denoncime dhe transparenca ndaj publikut”, u shpreh Çela.

Po ashtu në qendër të takimit ishin pastrimi i parave dhe evazioni fiskal.

“Hetime të rëndësishme edhe për kërkesat e ndërkombëtarëve për luftën ndaj pastrimit të parave dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Më herët Kryeprokurori më 29 prill, u ka dërguar një shkresë organeve kompetente për marrjen e masave administrative dhe proceduriale për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve.

Më 27 prill, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar se subjektet politike, që kanë bërë kallëzime në lidhje me fushatën zgjedhore, vetëm kundrejt 32 prej tyre ka nisur procedimi penal.

Për të gjitha rastet që janë në hetim, SPAK-u ka garantuar se do të vazhdojnë të hetohen me përparësi, me metoda pro aktive, objektivitet dhe pa asnjë hezitim, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të fakteve të pretenduara.

Nga ana tjetër misioni i SHBA-ve dhe OSBEE-ja e ka përgëzuar popullin shqiptar për angazhimin aktiv në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku fituese u shpall Partia Socialiste.

Përpos kësaj, SHBA-të janë gjithashtu në pritje të njoftimeve nga SPAK-u, mbi hetimin e krimeve zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore