Shqipëria

Lufta ndaj kanabisit, Balla: Inspektorët e pyjeve të bashkëpunojnë me Policinë


Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot se kryepleqtë dhe inspektorët e pyjeve duhet të bashkëpunojnë me Policinë në luftën ndaj kanabisit.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla duke iu referuar operacionit policor të zhvilluar nga forcat e rendit në Lezhë, ku u vendosën nën hetim kryeplaku i zonës së Klosit si dhe një prej inspektorëve të pyjeve, evidentoi rëndësinë e bashkëpunimit të strukturave vendore me forcat e rendit.

“Duhet të përmbushin detyrimet ligjore, të gjithë aktorët që i ngarkon ligji kryepleqtë e fshatrave, inspektorët pyjorë, pushteti vendor, duke bashkëpunuar me Policinë e Shtetit. Përgëzime Policisë së Shtetit Mirditë dhe Forcave Operacionale të DVP Lezhë, për finalizimin e operacionit me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë, duke asgjësuar 1050 bimë e fidanë kanabis, si dhe për arrestimin/procedimin e tre shtetasve”, tha Balla.

Policia e Lezhës njoftoi më herët pas kontrolleve intensive nga toka dhe ajri, në kuadër të megaoperacionit “Territor i Pastër”, u gjetën dhe u asgjësuan 1050 bimë dhe fidanë kanabis sativa në zonën e Fanit, Klos.

Policia njofton se u arrestua autori i dyshuar, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike. Ndërkohë, Policia ka proceduar penalisht kryeplakun e fshatit Klos dhe specialistin e pyjeve për zonën Fan, për shpërdorim detyre.

“Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi: A. F., 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Bashkia Mirdita, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit mbi banesën e tij, kishte kultivuar në 3 parcela të ndryshme, 1050 bimë dhe fidanë kanabis. Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike.

Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit: Sh. M., me detyrë specialist pyjesh në zonën Fan dhe K. M., me detyrë kryeplak i fshatit Klos. Këta shtetas dyshohen se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale, në zonën që mbulonin. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Shtetit, e cila ka ndarë dhe pamje nga zhvillimi i operacionit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore