Kosova

OJQ-ja D+ kërkon shkarkimin e Sami Kurteshit


Sami Kurteshi, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje

Organizata jo – qeveritare, Demokraci Plus ka kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ta shkarkojë anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, pas incidentit së ditës së mërkurë ku i përfshirë ishte Kurteshi dhe një punonjës i këtij institucioni.

Sipas tyre, me këtë veprim Kurteshi ka dëmtuar statusin dhe integritetin e KQZ-së.

“Kërkojmë nga Presidentja Osmani-Sadriu, që duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nenin 61 paragrafi 5, shkronja d, të shkarkojë anëtarin e KQZ-së Sami Kurteshin, për të mbrojtur statusin dhe integritetin e KQZ-së”

Në reagimin e organizatës në fjalë Kurteshi është kritikuar edhe për ndryshimin e deklarimeve duke e cilësuar këtë si një veprim moralisht të gabuar.

“Në mbledhjen e ditës së enjte të KQZ-së, Kurteshi ka pranuar që është përfshirë në një incident me një nëpunës të KQZ-së, duke marrë përsipër rolin e policisë, në vend se të denoncoi në organet përgjegjëse personin në rast të mos respektimit të masave për mbrojtje nga COVID-19. Një ditë më herët, z. Kurteshi kishte deklaruar se nuk e ka sulmuar askënd”, thuhet në njoftimin e organizatës në Facebook.

Policia e Kosovës, gjatë ditës së mërkure kishte nisur hetimet ndaj anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi.

“Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se, në korridor të objektit është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari mashkull kosovar për shkak se viktima nuk e kishte maskën. Lidhur me rastin janë intervistuar dy dëshmitar rasti. Është njoftuar edhe prokurori, ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Arsyeja e konfliktit, kishte të bëjë me mos-bartjen e maskës nga punëtori i KQZ-së.

Megjithatë, vetë Kurteshi e ka mohuar gjithë ngjarjen.

“Nuk është e vërtetë” ka thënë kur u pyet nga Albanian Post për konfliktin, të raportuar edhe në media të tjera.

“Është gënjeshtër”, shtoi ai duke mohuar në tërësi ngjarjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore