Lajme

Oda Ekonomike e Kosovës dhe e Izraelit me marrëveshje për thellim të bashkëpunimit


Flamuj të Kosovës dhe Izraelit të vendosura pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës

Përfaqësues të bizneseve të Kosovës dhe atyre të Izraelit gjatë një takimi janë zotuar se do të rrisin bashkëpunimi në mes tyre.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe nënkryetari i Odës Ekonomike të Izraelit, Roy Roznek, kanë thënë se ky është hapi i parë në angazhimin e lidhjeve ekonomike mes dyja shteteve.

Berat Rukiqi gjatë konferencës për media, ka thënë se do të ketë edhe vizita në Kosovë nga përfaqësues të kompanive izraelite.

“Të dy odat do të angazhohen që të krijojmë parakushtet ligjore të rëndësishme për këtë, duke filluar nga propozimet që do t’i dërgojmë te dy qeveritë për inicimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë në mes Kosovës dhe Izraelit”.

Sipas Rukiqit, Izraeli ka fuqi ekonomike, prandaj edhe është i rëndësishëm për raporte ekonomike.

“Është e rëndësishme që të kemi raporte ekonomike me Izraelin për shkak të fuqisë ekonomike dhe për shkak të kompanive të këtij shteti që janë liderë global në shumë fusha dhe sektorë të ekonomisë”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, nënkryetari i Odës Ekonomike, tha se Shtetit i Kosovës dhe ai i Izraelit kanë marrëdhënie të reja, mirëpo që janë të forta.

“Marrëdhëniet diplomatike janë të mirë, por nëse nuk keni një marrëdhënie ekonomike dhe tregtare, marrëdhënia nuk do të jetë stabile. Prandaj, jam këtu në emër të Odës së Izraelit për të hapur një marrëdhënie të re, të punojmë së bashku dhe të nisim tregti dhe ekonomi në mes të dy odave tona dhe pastaj në mes të kompanive izraelite dhe kosovare”, theksoi Roznek.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike.

Po atë datë në një ceremoni virtuale, në të cilën ish-ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin, ku thuhej se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit ishte paraparë me Marrëveshjen e 4 shtatorit 2020, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të Presidentit të atëhershëm të SHBA-ve, Donald Trump.

Sipas marrëveshjes të nënshkruar nga Kosova ishte paraparë ndër të tjera hapja e Ambasadës se Kosovës në Jerusalem, ndërkaq në rastin e Serbisë përkatësisht marr veshjes së nënshkruar nga pala serbe, ishte paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që nuk ka ndodhur sipas afateve të caktuara në marrëveshje.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, në Prishtinë është hapur Korporata për Zhvillim dhe Investime Kosovë-Izrael (KIDIC), qëllimi i së cilës thuhet të jetë zhvillimi dhe rritja lidhjeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar nga shteti i Izraelit janë importuar produkte në vlerë prej rreth 22 milionë euro, kryesisht derivate të naftës dhe produkte të plastikës, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në këtë shtet ishte minimal, në vlerë prej rreth 85 mijë euro.

Ndërsa gjatë viteve të fundit, në Kosovë investimet nga Izraeli, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kanë qenë rreth 1.6 milion euro. Nga kjo shumë, rreth një milion euro u investuan në sektorin e patundshmërive, kurse pjesa tjetër është investuar në sektorin e tregtisë.

Ndërkaq, në vitin 2020, vlera e remitencave nga Izraeli ishte rreth 170 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore