Lajme

Oda e Hotelierisë shtron kërkesa për Qeverinë, Bislimi u premton adresim të tyre


Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, “zgjatjen e orarit të punës për të gjitha kategoritë, lejimin e punës për sallat e dasmave dhe klubet, e heqjen e orës policore”.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi “është shprehur i gatshëm që këto kërkesa t’i drejtojë tek këshilli ndërministror në mënyrë që të shqyrtojnë mundësinë për akomodimin e këtyre zotimeve nga OHTK”.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, bashkë me drejtorët e departamenteve të estradës dhe të sallave të dasmave, Afrim Muqiqi dhe Driton Hoti, janë takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, si dhe ministren në detyrë të Shëndetësisë, Dafina Gexha.

Gjatë këtij takimi OHTK ka shtruar disa kërkesa konkrete.

Ilustrim

Pos, atyre të lartcekura, kërkesë tjetër është edhe “zgjatja e afatit për uljen e TVSH-së nga 18 për qind në tetë për qind të paktën edhe për pesë vitet e ardhshme”.

“Të fillojnë organizimet e ahengjeve në bazë të manualit, të bëhet përkrahja financiare ndaj bizneseve, të bëhet subvencionimi i pagave të punëtorëve, të mbulohen shpenzimet e qirave për bizneset nga viti 2020-2021 që kanë punuar pjesshëm, të bëhet kompensimi i bizneseve që nuk kanë punuar fare gjatë kësaj kohe”, thuhet në njoftim.

“Për të hyrë në lokale t’u kërkohet certifikata e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testi RT-PCR negativ për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19 në të kundërtën inspektoriati të merret me atë biznes”, vijon njoftimi.

Përveç kësaj, ata u zotuan se në rast se gjendet një alternativë që çdo biznes hoteliero/turistik të punojë njësoj pa u standardizuar, “atëherë do të zotohen që do t’u bëjnë thirrje çdo pronari të biznesit e në veçanti pronarëve të sallave të ahengjeve të ndryshme për t’u kërkuar që nëse duan të hapen dhe të punojnë do t’i respektojnë çdo masë e cila do të dalë nga qeveria e Kosovës”.

“Në të kundërtën do ta pësojë jo vetëm me dënim por edhe me mbyllje për një kohë të caktuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore