Lajme

O’Brien i kërkoi “përparim urgjent” për Asociacionin, Kurti s’e përmend askund  


Albin Kurti dhe James O'Brien

Ndonëse Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien i kërkoi “përparim urgjent” në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në njoftimin për takimin me top-diplomatin nuk e ka përmendur askund kërkesën amerikane për këtë mekanizëm.

“Në një bisedë të hapur, bashkë edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier diskutuam për rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike si dhe për zhvillimet e fundit”, shkroi Kurti në platformën sociale, Facebook.

Kurti ndër të tjera ka potencuar se Kosova është gjithmonë mirënjohës “Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e saj qendror dhe mbështetjen ndaj Kosovës në synimet e tona për integrim euro-atlantik”.

Kurti e O’Brien, të mërkurën, zhvilluan një takim kokë më kokë në Gjermani.

Për takimin në fjalë fillimisht u deklaruar O’Brien, i cili përmes një postimi në platformën sociale, X, theksoi se SHBA-të mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

“Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Kurti sot”, shkroi O’Brien.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Të martën pas Francës edhe Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV potencoi se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, ka potencuar ai.

Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.

“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nëse dëshironi të hyjni diku ju duhet të bëni një hap të prekshëm, pra ta dërgoni këtë draft-statut te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka shtuar ai.

Të martën, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se autoritete kosovare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit dhe se një hap i tillë është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Gjermania kërkon që Kosova ta dërgojë në Kushtetuese Asociacionin nëse do anëtarësim në KiE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore