Lajme

NYT: Ushtria amerikane fshehu sulmet ajrore që vranë dhjetëra civilë në Siri


Prestigjiozja amerikane New York Times (NYT) ka raportuar të shtunën e 13 nëntorit se ushtria amerikane ka mbuluar sulmet ajrore në Siri që vranë me dhjetëra civilë.

Bëhet fjalë për një sulm të vitit 2019 që vrau 64 gra dhe fëmijë, gjatë betejës kundër Shtetit Islamik.

Sipas raportit, dy sulmet ajrore të njëpasnjëshme pranë qytetit të Baghuz-it u urdhëruan nga një njësi e klasifikuar e operacioneve speciale amerikane.

Kjo e fundit, ishte ngarkuar me operacionet tokësore në Siri.

NYT-ja tha se Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyri operacionet ajrore të SHBA-së në Siri, i pranoi sulmet.

Sipas autoriteteve amerikane, ato ishin të justifikuara.

Referuar incidentit tragjik, ushtria nënvizoi se ishte e paqartë nëse 60 personat e tjerë ishin civilë.

Në deklaratën e së shtunës, ushtria tha se sulmet ishin “vetëmbrojtje legjitime”, proporcionale dhe se “u morën hapat e duhur për të përjashtuar praninë e civilëve”.

Numri i civilëve në mesin e 60 viktimave nuk mund të përcaktohej.

Komanda Qendrore tha se sulmet u zhvilluan ndërsa Forcat Demokratike Siriane (SDF) ishin në rrezik për t’u pushtuar.

SDF-ja, sipas tyre, kishte raportuar se zona nuk kishte asnjë civil.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore