Lajme

Nxirret në sipërfaqe vetura me trupat e pajetë të tre qytetarëve të Kosovës


Pamja e ekranit/Klan Macedonia

Vetura e aksidentuar mbrëmjen e 17 qershorit dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur të dielen nga ekipet e kërkim-shpëtimit dhe në të janë edhe trupat e pajetë të tre qytetarëve të Kosovës, transmeton televizioni “Klan Macedonia”.

Vetura është gjetur në lumin Lepenc të dielen, rreth 200 metra larg vendit të aksidentit tragjik ku janë përfshirë një veturë e tipit Volkswagen me targa të Maqedonisë së Veriut dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, me të cilën po udhëtonin katër persona, shtetas të Kosovës.

Operacioni i kërkimit nisi të shtunën pasdite, ku krahas ekipeve të shpëtimit nga Maqedonia e Veriut dhe vullnetarëve nga fshatrat përreth, në aksionin për gjetjen dhe lokalizimin e veturës kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se kanë arrestuar të dielen shoferin e automjetit me targa të Shkupit (64-vjeçar) nën dyshimin se është përfshirë në aksidentin e trafikut, ku si pasojë automjeti me targa të Kosovës ka rënë në lumin Lepenc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore