Libra

Nxënësi “i preferuar” i sinagogës


Spinoza, filozofi hebre-holandez

Historia e hebrenjve që nga shpërndarja e tyre prej Jerusalemit, është një prej historive më tragjike por dhe më frymëzuese në Evropë.

Të përzënë e të përndjekur nga pushtimi romak i Jerusalemit,  nga religjionet e mëdha të cilat burimin e gjejnë në shkrimet dhe kujtimet hebraike, të ndaluar nga sistemet feudale që të kenë prona, të mbyllur e të izoluar nëpër geto të Evropës, të rrahur nga njerëz e të vjedhur nga mbretër, me finanancat dhe tregjet e të cilëve u ndërtuan qytetet e patejkalueshme të Evropës, të përzënë e të leçitur, të fyer e të poshtëruar, krejt kjo kulminacionin e tragjedisë e arrin në Gjermaninë Naziste, me holokaustin, krimin më të madh kundër njerëzimit në histori.

Asnjë dramë e shkruar nga njeriu s’mund të jetë më tragjike se vuajtjet e hebrenjve, dhe asnjë dramë s’mund të përshkruajë lavditë dhe arritje te tyre.

Për më shumë se 2 mijë vite, pa asnjë strukturë politike, pa asnjë detyrim ligjor për unitet social, madje pa as një gjuhë të përbashkët, ky popull ka arritur të ruajë trupin dhe frymën e tij, ka ruajtur integritetin kulturor, traditat dhe ritualet më antike, dhe i ka dhënë botës sa e se gjeni të patejkalueshëm.

Megjithatë, një prej “hebrenjve” që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën evropiane, është “nxënësi i preferuar i Sinagogës së Amsterdamit”, Baruch de Espinoza.

Ishte ky odiseanizëm i hebrenjve që ishte rrënjosur thellë në prapavijën mendore të Spinozës.

Babai i tij ishte tregtar i suksesshëm dhe kishte ndërmend që djali i tij të absorbonte religjionin dhe historinë e popullit të tyre.

Spinoza ishte shkollar i mahnitshëm, dhe i gjithë komuniteti e shihte të ardhmen e dijes tek ai. Shumë shpejtë e kaloi Biblën për në komentimet e thella të Talmudit, e prej këtyre te shkrimet e Moses Maimonides, Levi Ben Gerson, Ibn Ezra, e deri te filozofitë mistike të Ibn Gebirol dhe Moisiu i Kordovës.

Spinoza, si një njeri që kishte zotëruar leximet e teksteve fetare, ishte mahnitur nga shkrimet e Moisiut të Kordovës dhe identifikimi që i bënte Natyrës me Perëndinë, idenë e Ben Gerson për përjetësinë e botës; idenë e Hasdai Crescas i cili besonte që universi material është trupi i perëndisë.

Por, siç ndodh jo rrallëherë me mbrojtësit më të mëdhenj të një doktrine, ata kthehen në armiqt e saj më të mëdhenj. Aq më shumë që Spinoza lexonte dhe qasej në këto mistere religjioze, aq më shumë bindja e tij fortë shkrihej e zhbëhej në dyshime.

Prej tempujve fetar, Spinoza iu kthye tempujve latinë e grekë, dhe u drejtua kah Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, por në fund pushoi kokën e tij intelektuale te atomistët grekë si Demokriti, Epikuri dhe Lukreti, por edhe te Stoikët të cilën formësuan tërë karakterin e tij.

Këta ishin paraprijësit e tij mendor, mendje kjo e cila për nga jashtë shihej si e qetë dhe e sigurtë, por që përbrenda vlonte me dyshime. Për këto dyshime edhe sinagoga do ta përjashtonte njëherë e përgjithmonë.

Më 27 korrik 1656, filozofi më i madh hebre i të gjitha kohërave, Baruch de Espinoza u përjashtua dhe u mallkua nga komuniteti i hebrenjve-portugezë të Amsterdamit, me të gjitha formalitetet e zymta të ritualeve hebreje.

“Gjatë leximit të mallkimit [të Spinozës], nota vajtuese dhe të zgjatura të një briri u dëgjuan herë pas here; qirinj, të cilët ishin ndezur në fillim të ceremonisë së mallkimit, u shuan një nga një ndërsa vazhdonte leximi i mallkimit, derisa në fund u shua e fundit prej tyre – tipike për të treguar shuarjen e jetës shpirtërore të njeriut të dëbuar – dhe kongregacioni u la në errësirë totale”, shkruan Heinrich Graetz, në Historia e Hebrenjve.

Gjatë shekujve janë bërë thirrje të vazhdueshme që të zhbëhet herem-i (dëbimi) ndaj Spinozës. Edhe David Ben-Gurion sa ishte kryeministër i Izraelit lëshoi një lutje publike “për të zhbërë padrejtësinë ndaj Spinozës”. Deri sa në vitin 2012 u ri-ngrit kjo çështje me këmbënguljen e njërit prej anëtarëve të kongregacionit hebre të Amsterdamit.

Duhej të rishikohej pas më shumë se 350 viteve, dëbimi dhe mallkimi i Spinozës nga komuniteti i atëhershëm i hebrenjve të Amsterdamit, dhe të gjykohej se a është e mundur që të rehabilitohet figura e filozofit më të madh, Spinozës. Megjithatë, një pyetje mbetet ende e njëjtë gjatë tërë kësaj kohe që ka kaluar: a duhet të konsiderohet Spinoza ende jobesimtar? Dhe këtu janë mospajtimet më të mëdha në lidhje me figurën madhështore të Spinozës.

Ronit Palache, një hebre sekular holandez shkruan se “është një njollë e zezë në historinë e hebrenjve që herem-i ndaj Spinozës nuk është zhbërë ende”.

Johannes van Vloten, në atë kohë, e kishte dokumentuar edhe formulën ose mallkimin për “herezitë e neveritshme” që i është lexuar Spinozës nga kongregacioni i hebrejve-portugezë të Amsterdamit.

“Krerët e Këshillit të Klerëve këtu, para të gjithëve, bëjnë të ditur, se, tashmë plotësisht në dijeni për mendimet dhe veprimet e liga të Baruch de Espinoza-s, për të cilat janë përpjekur që në mënyra të ndryshme dhe me premtime ta udhëzojnë atë larg nga mënyrat e errëta të tij. Por nga pamundësia që të arrijnë të ndryshojnë mënyrën e të menduarit të tij; përkundrazi, çdo ditë e më shumë ata e shohin herezi më të mëdha nga ai, dhe paturpësinë me të cilën ai i zgjeron dhe shpërndan ato jashtë vendit, dhe edhe shumë njerëz tjerë kredibilë duke qenë dëshmitarë të këtyre herezive në prezencë të Espinozës, ai është tani plotësisht i dënuar për këto. Rishikimi është kryer për këtë çështje para krerëve të Këshillit të Klerëve, ka marrë vendim, për të cilën kanë dhënë pajtimin edhe Këshilltarët, të anatemizojnë të përmendurin Spinoza, dhe të shkëpusin atë nga populli i Izraelit, që nga kjo orë ta vendosim atë Anatemë me mallkimin që vijon:

Me gjykimin e engjëjve dhe fjalitë e shenjtorëve, ne anatemizojnë, mbajmë neveri, e mallkojmë, dhe e dëbojmë Baruch de Espinoza-n, me pajtimin e të gjithë komunitetit të shenjtë, në prezencë të librave të shenjtë me gjashtëqind e trembëdhejtë porositë të shkruara në të, deklarojmë ndaj tij mallkimin me të cilën Elisha mallkoi fëmijët, dhe të gjitha mallkimet e shkruara në Librin e Ligjit. Le të jetë i mallkuar ditën, dhe i mallkuar natën; le të jetë i mallkuar kur shtrihet të flejë, dhe i mallkuar kur zgjohet, i mallkuar kur del jashtë, dhe i mallkuar kur futet brenda. Kurrë Zoti mos e faltë e mos e pranoftë; inati dhe pakënaqësia e Zotit qoftë gjithmonë kundër tij, dhe ta ngarkojë me të gjitha mallkimet e shkruara në Librin e Ligjit, dhe ta fshijë emrin e ti nën qiell; kurrë mos shpëtoftë nga të këqijat dhe ta mbanë larg nga fiset e Izraelit, dhe të gjithë ju që i bindeni Zotit, qofshi të shpëtuar në këtë ditë.

Që tani e tutje të gjithë paralajmëroheni që të mos flisni kurrë me të asnjë fjalë goje; as të mbajë komunikim me anë të shkrimit; kurrë asnjeri mos ti kryejë shërbime, mos të flejë nën një çati me të, askush mos ti afrohet afër, as mos të lexojë kurrë asnjë dokument të diktuar nga goja e tij, e as të shkruar nga dora e tij”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore