Lajme

Numër rekord kërkesash për azil në BE që nga viti 2016


Në vitin 2022, afro një milion aplikime për azil iu dorëzuan autoriteteve të Bashkimit Evropian.

Dhe shumica e atyre ishin nga shtetas sirianë, afganë dhe turq, sipas Agjencisë së BE-së për Azilin (EUAA).

Numri i kërkesave për azil, referuar raportit vjetor, u rrit me 50 për qind nga viti 2021 dhe është bërë numri më i lartë i regjistruar që nga viti 2016.

Sakaq, disa nga faktorët shtytës për këto rezultate përfshijnë lehtësimin e kufizimeve të COVID-it dhe rritjen e pasigurisë ushqimore dhe konflikteve në shumë rajone.

Po ashtu numri i azilkërkuesve sirianë dhe afganë ishte dukshëm më i lartë në mesin e të gjithë aplikantëve me 132 mijë dhe 129 mijë respektivisht, duke regjistruar numrin më të lartë të regjistruar që nga viti 2016.

Kurse numri i aplikantëve turq u dyfishua në vitin 2022, duke i bërë turqit grupin e tretë më të madh, të ndjekur nga venezuelianët (51 mijë) dhe kolumbianët (43 mijë), me aplikimet nga këto vende të Amerikës së Jugut në rritje me tre herë në krahasim me vitin 2021.

Ndërkohë, nga Bangladeshi dhe Gjeorgjia pasuan si vendet e origjinës për aplikantët kryesorë: 34 mijë dhe 29 mijë aplikime të depozituara respektivisht.

Gjithashtu raporti ka nxjerrë se numri i kërkesave për azil ishte i lartë midis shtetasve të Indisë (26 mijë), Marokut (22 mijë), Tunizisë (21 mijë), Egjiptit (15 mijë) dhe Moldavisë (8 mijë e 300).

“Në vitin 2022, autoritetet e azilit të BE+ nxorën rreth 632 mijë vendime në shkallë të parë, me një të pestën nga viti 2021. Megjithatë, aplikimet u rritën shumë më tepër duke rezultuar në hendekun më të madh që nga viti 2015. Kjo përkthehet kryesisht në një rritje e rasteve të pazgjidhura në shkallën e parë”, ka sqaruar EUAA.

Gjithsej 636 mijë çështje prisnin një vendim deri në fund të vitit 2022, 44 për qind më shumë krahasuar me vitin 2021.

Shkalla e njohjes midis vendeve të BE-së ishte 40 për qind në vitin 2022, që është pesë pikë përqindjeje më shumë nga viti paraardhës dhe më e larta e regjistruar në pesë vjet.

Afro 147 mijë aplikantëve iu dha statusi i refugjatit, ndërsa 106 mijë morën mbrojtje shtesë, me normat e njohjes që ishin më të larta për shtetasit nga Siria, Bjellorusia, Ukraina, Eritrea, Jemeni dhe Mali.

Ndërkaq, normat e njohjes ishin më të ulëta – nën katër për qind për shtetasit nga India, Maqedonia e Veriut, Vietnami, Moldavia, Bosnja dhe Hercegovina, Tunizia, Nepali dhe Serbia.

Rreth katër milionë njerëz që ikin nga Ukraina janë regjistruar për mbrojtje të përkohshme dhe mbi katër në pesë vendime të paraqitura nga kjo kategori kanë marrë një përgjigje pozitive.

Gjithashtu numri i të miturve të pashoqëruar u rrit ndjeshëm në vitin 2022 duke arritur në 43 mijë gjithsej. Dhe ky është numri më i lartë i regjistruar i të miturve të pashoqëruar që nga viti 2015.

Marrë nga “SchengenVisaInfo.com”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore