Lajme

Nuk ka armëpushim pa kthimin e pengjeve, thonë familjarët


Familjet e të burgosurve brenda Gazës, së bashku me qytetarët izraelitë, pritet të mblidhen në orën 13:00 në qendër të Tel Avivit për të kërkuar që çdo marrëveshje armëpushimi të përfshijë lirimin e robërve.

“Me mbërritjen e Blinken për të marrë pjesë në mbledhjen e kabinetit dhe në dritën e raporteve se një armëpushim po konsiderohet me qëllim të dërgimit të ndihmës humanitare në Gaza, familjet do të qëndrojnë në hyrje të HaKirya aq kohë sa të nevojitet për të bërtitur: Mjaft!”, thuhet në një deklaratë të grupit.

“Nuk ka armëpushim pa kthimin e pengjeve”, ka vijuar njoftimi.

Ndërkohë, kanë nisur bisedimet mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken të cilat po zhvillohen në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit në Tel Aviv.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka mbërritur këtë të premte në Izrael.

Vizita e Antony Blinken vjen mes shqetësimeve në rritje për numrin e madh të civilëve që janë vrarë në Gaza nga sulmet ajrore izraelite.

Përpara nisjes së tij për në Tel Aviv, Blinken tha se do të kërkonte “masa konkrete” nga Izraeli për të siguruar që dëmi ndaj civilëve palestinezë të reduktohej, edhe pse SHBA i reziston thirrjeve për një armëpushim.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, thotë se SHBA nuk po mbron një armëpushim të përgjithshëm, por një pauzë “të përkohshme, të lokalizuar”.

Izraeli e ka vënë Gazën nën rrethim për të ndaluar ushqimin dhe karburantin që të arrijë në enklavën prej 2.3 milionë banorësh.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, duke folur me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni po punonte për të çuar përpara bisedimet për sigurimin e një kalimi të sigurt për civilët, duke përfshirë amerikanët në Gaza.

“Ka një komunitet prej rreth 500 deri në 600 palestinezë amerikanë, pak a shumë, me banim në Gaza. Disa prej tyre duan të largohen…dhe ne po punojmë për të organizuar një kalim të sigurt,” tha zyrtari.

Shtetet e Bashkuara po bisedojnë “intensivisht” me qeveritë izraelite dhe egjiptiane për të ndihmuar në rregullimin e kësaj, tha zyrtari.

Një prioritet tjetër për Blinken do të jetë përcjellja e një mesazhi parandalimi për Iranin dhe çdo grup të mbështetur nga Irani për të shmangur përfshirjen në konflikt.

“Ne jemi shumë të synuar të demonstrojmë përmes kësaj vizite dhe vizitave të mëtejshme se jemi të përkushtuar t’i mbajmë palët e tjera jashtë këtij konflikti”, tha zyrtari.

Presidenti i SHBA Joe Biden, duke folur me udhëheqësit e komunitetit hebre në Washington të mërkurën, tha se vendosja e luftanijeve dhe avionëve amerikanë më afër Izraelit duhet të shihet si një sinjal për Iranin, i cili mbështet Hamasin dhe lëvizjen Hezbollah të Libanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore