Lajme

Nuk hiqen bllokadat në Jarinjë e Bërnjak, as në ditën e pestë


Protestues serbë të cilët kanë bllokuar pikën kufitare në Jarinje, 20 shtator

Rrugët kryesore që të çojnë në dy pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak janë të bllokuara edhe këtë të premtë.

Në ditën e pestë të protestës, disa qytetarë serbë, të revoltuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për tabelat e automjeteve që vinë nga serbia, po vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë duke bllokuar kështu edhe qarkullimin e lirë në këto dy pika kufitare.

Jarinje, 20 shtator

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për Albanian Post se edhe sot “vlerësohet të jetë një situatë e njëjtë me pengesat e ndryshme të vendosura me automjete, mjete të rënda transportuese, zhavorr, etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak”.

Kelani ka thënë se Policia e Kosovës në autorizimet kushtetuese dhe ligjore si dhe në planifikimet operacionale “në vazhdimësi po realizon ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë në të gjitha pikat kufitare me qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve, veprime këto të cilat janë duke vazhduar edhe sot”.

Ai ka deklaruar se Policia e Kosovës në vazhdimësi ka përcjellë dhe monitoruar situatën dhe është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

“Referuar situatës dhe zhvillimeve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, vlerësohet të jetë një situatë e njëjtë me pengesat e ndryshme të vendosura me automjete, mjete të rënda transportuese, zhavorr, etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak”, u shpreh Kelani.

Pika kufitare në Jarinje, e bllokuar nga proestuesit serb

Ndryshe Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa me Serbinë duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.

Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.

Njësia Speciale operatike e Policisë së Kosovës në Jarinjë

KFOR: Po punojmë për të siguruar ambient të sigurtë dhe liri të lëvizjes

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i trupat e të cilit janë po ashtu të angazhuara për sigurinë në veri nuk kanë komentuar për situatën atje duke thënë se janë detaje operacionale.

“Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR vazhdon që në përditshmëri të zbatojë mandatin e Kombeve të Bashkuara- sipas rezolutës 1244 të vitit 1999- për të siguruar një ambient të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Të enjten në mbrëmje ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq vizitoi forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, që gjendet në kufi me Kosovën, duke thënë se trupat serbe atje ishin në gatishmëri të lartë.

Stefanoviq u shoqërua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali, Millan Mojsilloviq.

Policia e Kosovës thotë se bllokadat në veri janë përforcuar me zhavorr

Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se prej 20 shtatorit e deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 22 shtator, ka lëshuar 6.375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë, mbi 3.000 targa të përkohshme janë lëshuar në të gjitha vendkalimet kufitare Kosovë – Serbi, ndërkaq, numri më i madh i tyre është lëshuar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdare.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore