Sport

Notarja 12 vjeçare nga Kosova me 190 medalje të fituara


Gjithçka nisi si një hobi për ta kaluar kohën e lire, por noti shumë shpejt arriti të bëhej angazhim serioz për 12 vjeçaren nga Prishtina, Hana Beiqi, e cila deri më sot numëron 190 medalje të fituara në gara të ndryshme të notit.

Për Albanian Post, Hana, ka rrëfyer rrugëtimin e saj drejt notit dhe mënyrën se si ka arritur të triumfojë në shumë kompeticione të kësaj sfere sportive.

“Me not kam filluar të merrem fillimisht për rekreacion, por me kalimin e kohës dhe me sugjerimet e trajnerit që të angazhohesha edhe në gara, fillova të mendoja më seriozisht për sportin e notit e sidomos pas rezultateve që arrija në këto gara dhe fitimin e medaljeve të para”, thotë Hana për Albanian Post.

Dikur, Hana sfidonte veten vetëm në garat brenda territorit të Republikës së Kosovës, deri atëherë kur rezultatet e saj kaluan pritshmëritë dhe e i dhanë asaj hapësirën e duhur për t’u bërë pjesë e garave të notit me nivele regjionale e ndërkombëtare.

“Me pjesëmarrje në gara të shumta, vendore e ndërkombëtare deri më sot kam 190 medalje, shumica prej tyre janë të arta, por kam edhe të argjendta dhe bronz. Kam fituar katër kupa, prej të cilave një në Kosovë – “ Kupa pavarësia-2020” dhe tre të tjerë në gara ndërkombëtare të tilla si; “Orion-mini Cup 2019”, “ Orion-mini Cup 2020” dhe “ Nemo Cup 2019”, thotë notarja 12 vjeçare.

Gjithashtu, Hana Beiqi, një emër tashmë i njohur në sportin e notit, për dy vjet rresht është shpallur “Sportistja e vitit” për grup moshën e saj, nga Federata e Notit të Kosovës (FNK), ndërsa një çmim të rëndësishëm e ka marr edhe nga Komuna e Prishtinës, duke u vlerësuar me anë të mirënjohjes “Shpresat e sportit 2019”, që iu nda asaj dhe nëntë sportistëve të tjerë.

Mes tjerash, notarja nga Prishtina, ka treguar edhe rreth kompeticionit, pjesëmarrjen brenda së cilit, ajo e konsideron si të preferuarën e saj.

“Gara më e veçantë për mua, ka qenë gara ndërkombëtare e mbajtur në shkurt të këtij viti në Shkup të Maqedonisë – “Neptun Cup 2021”. Aty arrita rezultate të mira në të gjitha disiplinat ku kam garuar, dhe më e rëndësishmja ishte që shënova rekord të ri në not”, shtoi Beiqi.

Beiqi, gjatë garës “Neptun Cup 2021”, në disiplinën 50m stil të lirë në pishina të shkurtëra, arriti të vë rekord, pasi ajo e përfundoi sfidën notuese për 00:27:34 sekonda, duke e bërë atë vajzën e parë nga Kosova që ia doli ta përfundonte brenda kësaj kohe.

Hana, numëron afro gjashtë vite që kur ajo nisi të merrej me aktivitetin sportiv të notit, por ajo nuk planifikon të ndalet.

“Planet e mia përveç shkollës, janë të fokusuara vetëm te sporti i notit. Në një të ardhme të afërt, dua të vijoj kampe ndërkombëtare ku do të marr njohuri të reja nga trajnerë noti të nivelit botëror. Dua të jem shembull dhe motiv për fëmijët tjerë. Synoj majat e këtij sporti, e pse jo edhe “Lojërat Olimpike”, përfundoi ajo.

Ndryshe, ajo është pjesë e klubit të notit H2O, ku edhe po zhvillon karrierën e mëtutjeshme, nën leksionet e trajnerit, Granit Morina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore