Shqipëria

Non-paper-i austriak parasheh anëtarësimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE


Ilustrim

Mediumi boshnjak, Klix.ba, bënë të ditur se posedon një non-paper me origjinë austriake e quajtur “Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe Politika e Fqinjësisë përtej modeleve ekzistuese”, i cili propozon ndër të tjera anëtarësimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.

Në hyrjen e dokumentit, shkruar në maj 2022, thuhet se agresioni rus kundër Ukrainës ka ndryshuar rrethanat gjeopolitike, ka rrezikuar politikën e “Fqinjësisë Lindore” të Bashkimit Evropian dhe mund të ketë pasoja negative për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne duam dhe kemi nevojë për vendet e këtij rajoni në anën tonë. Ata janë një partner kyç dhe një pjesë integrale e familjes sonë evropiane. Për këtë arsye, ne duhet të rimendojmë qasjen tonë ndaj procesit të zgjerimit dhe politikës së fqinjësisë”, shkruhet në non-paper-in austriak.

Sipas këtij dokumenti jozyrtar, zgjerimi i BE-së duhet të përdoret si një instrument gjeostrategjik dhe jo thjesht si një procedurë burokratike.

“Në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, ne duhet të krijojmë mundësi për integrimin gradual të këtyre vendeve në fushat me përfitim të veçantë për to”.

Në këtë kontekst, non-paper-i në fjalë propozon masat e mëposhtme: integrimin progresiv në tregun e vetëm përmes, transportit të lirë të mallrave, uljes dhe heqjes së tarifave doganore, që do të përfshinin produktet bujqësore, dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve.

Pjesë e qasjes graduale ndaj këtij plani do të ishte përfshirja në politikën e ardhshme tregtare dhe tatimore, pjesëmarrja në politikat e BE-së për klimën dhe energjinë, përfshirja në rrjetin trans-evropian të transportit, përfshirja e plotë në programet e BE-së në fushat e shkencës, arsimit dhe kërkimit shkencor, pjesëmarrja në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe përfshirja në rritje në misionet e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së, pjesëmarrja në Programin Evropian të Krizave Ushqimore dhe Mekanizmin e Reagimit dhe pjesëmarrjen në agjencitë e Bashkimit Evropian.

Vetë procesi gradual i anëtarësimit do të ishte rigoroz dhe i bazuar në ndryshime të matshme. Qasja graduale në fondet e BE-së do të përdoret si një mjet bazë për të inkurajuar reformat. Gjithashtu, do të lihej mundësia e anulimit të disa përfitimeve në rast të devijimit nga rruga evropiane.

Non-paper-i në fjalë sugjeron që në hapin e parë, vendet e Ballkanit Perëndimor të ftohen vazhdimisht në takimet jozyrtare të Këshillit të BE-së për të diskutuar fushat me interes të përbashkët. Përveç kësaj, një samit BE-Ballkani Perëndimor do të organizohet çdo vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore