Lajme

Njohja e pasaportave nga Spanja, Gërvalla: Do kemi edhe shumë lajme të mira para se të festojmë 3-vjetorin e fitores


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se po e mbyllin edhe një ditë “me krenari dhe me një lajm të mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj”, kjo pas vendimit të Spanjës për t’i njohur pasaportat e Kosovës, duke ia mundësuar kështu lirinë e lëvizjes qytetarëve kosovarë edhe në këtë shtet – i cili se njeh pavarësinë e Kosovës – pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

“Spanja i shtohet listës së shteteve, në të cilat qytetarët tanë mund të udhëtojnë lirshëm, me pasaportën e Republikës së Kosovës dhe pa viza. Për këtë falënderoj nga zemra të gjithë ata që janë angazhuar për arritjen e këtij suksesi”, shkroi Gërvalla në Facebook.

Kryediplomatja theksoi se qeverisë ku ajo bënë pjesë, i mbetet të vazhdojë, “si çdo ditë gjatë këtyre dy viteve të mandatit tonë, punën intensive për të forcuar edhe më tej Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

“Liberalizimi i vizave, shtrirja e sovranitetit në të gjithë vendin, fillimi i inkasimit të rrymës në Veri të Kosovës, heqja e barrierave për qarkullimin me targat e Republikës së Kosovës edhe nëpër Serbi si dhe mesazhet e qarta dhe të palëkundura të Mbretërisë së Bashkuar në përkrahje të sovranitetit, ekonomisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë tregues të qartë të suksesit dhe përkushtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, vlerëson ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme pohoi se do të ketë edhe më shumë lajme të mira para se ta festojnë 3-vjetorin e fitore së zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, dhe 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Vetëm me vendosmëri dhe punë të ndershme dhe të palodhshme mund t’ia kthejmë Kosovës dinjitetin dhe t’ia sigurojmë vendin e merituar në familjen e kombeve”, përfundoi.

Ishte zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili përmes një postimi në platformën sociale Facebook, bëri të ditur se kosovarët tashmë mund të udhëtojnë pa viza edhe drejt Spanjës, meqë ky shtet ka marr vendim për njohjen e pasaportave të Kosovës.

Sipas Bislimit, ky lajm është kumtuar nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Bashkimit Evropian.

Kur Kosova fitoi të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza në zonën Schengen të BE-së, një gjë e tillë nuk u bë e vlefshme edhe për shtetin e Spanjës, meqë Madridi zyrtar refuzonte ta njihte pasaportën e Kosovës.

Megjithatë, një kusht i tillë nuk vlen më.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti”.

“Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”.

Udhëtimi pa viza edhe në Spanjë, Kurti: Pasaportës sonë po i rritet vlera, e shtetit dinjiteti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore