Lajme

Njihuni me udhëheqësit talebanë


Të shtunën e 21 gushtit, udhëheqësia e talebanëve është mbledhur në Kabul, kryeqyteti i Afganistanit.

Gjatë mbledhjes, drejtuesit e talebanëve kanë diskutuar mbi formimin e një qeverie, pas kthimit të grupit islamist në pushtet të dielën e kaluar.

Më parë, gjithçka ndodhte mes udhëheqjes së grupit dhe punimeve të brendshme nuk bëhej publike. Kjo, edhe gjatë sundimit të tyre nga 1996 në 2001.

Më poshtë, njihuni me drejtuesit talebanë:

Haibatullah Akhundzada, udhëheqësi suprem

 

Haibatullah Akhundzada u emërua udhëheqës i talebanëve në një kalim të shpejtë të pushtetit.  Pas një sulmi me dron amerikan, mbeti i vrarë paraardhësi i tij, Mullah Mansour Akhtar, në vitin 2016.

Para se të zgjidhej në këtë post, Akhundzada ishte një figurë fetare e profilit të ulët. Me sa duket ai u zgjodh për të shërbyer më shumë si një “figurë shpirtërore” sesa një komandant ushtarak.

Pasi u emërua udhëheqës, Akhundzada siguroi një premtim besnikërie nga shefi i Al-Qaeda-s, Ayman al-Zaëahiri, i cili e mbuloi klerikun me lëvdata, duke e quajtur atë “emir të besimtarëve”.

Akhundzada ishte “ngarkuar” me sfidën e madhe të unifikimit të një lëvizjeje militante që u thye për pak kohë gjatë luftës së ashpër për pushtet pas vrasjes së Akhtar dhe zbulimin se udhëheqja e kishte fshehur vdekjen e themeluesit të talebanëve, Mullah Omar, për vite me radhë.

Mullah Baradar, bashkëthemelues

Abdul Ghani Baradar u rrit në Kandahar –“vendlindja” e lëvizjes talebane.

Ashtu si shumica e afganëve, jeta e tij do të merrte një kthesë pas pushtimit sovjetik në fund të viteve 1970, duke e shndërruar atë në një kryengritës.

Sipas të dhënave, ai kishte luftuar krah për krah me klerikun Mullah Omar.

Të dy do të themelonin lëvizjen talebane në fillim të viteve 1990 gjatë kaosit dhe korrupsionit të luftës civile që pasoi tërheqjen sovjetike.

Pasi regjimi taleban u rrëzua në vitin 2001 nga forcat e udhëhequra nga SHBA-të, Baradar besohet të ketë qenë në mesin e një grupi të vogël kryengritësish që iu afruan udhëheqësit të përkohshëm Hamid Karzai me një marrëveshje të mundshme.

Kjo do të bënte të mundur që militantët të njihnin administratën e re.

I arrestuar në Pakistan në 2010, Baradar u mbajt në paraburgim derisa presioni nga Shtetet e Bashkuara e liroi atë në 2018 dhe u zhvendos në Katar.

Këtu ai u emërua shef i zyrës politike të talebanëve dhe mbikëqyri nënshkrimin e marrëveshjes së tërheqjes së trupave me Shtetet e Bashkuara.

Sirajuddin Haqqani, Rrjeti Haqqani

Djali i një komandanti të famshëm nga xhihadi anti-sovjetik, Sirajuddin Haqqani, njihet si zëvendëskryetar i talebanëve dhe kreu i rrjetit të fuqishëm Haqqani.

Rrjeti Haqqani është një grup terrorist i përcaktuar nga SHBA-të, i njohur prej kohësh si një nga fraksionet militante më të rrezikshme në Afganistan.

Grupi është “famëkeq” për përdorimin e sulmuesve vetëvrasës dhe se ka orkestruar disa nga sulmet e profilit të lartë në Kabul.

Rrjeti akuzohet gjithashtu për vrasjen e zyrtarëve të lartë afganë dhe mbajtjen e qytetarëve perëndimorë peng për shpërblim – përfshirë ushtarin amerikan, Bowe Bergdahl, i liruar në vitin 2014.

Të njohur për pavarësinë e tyre, luftimet dhe njohuri të mira të biznesit, Haqqani-të veprojnë nga malet e thepisura të Afganistanit Lindor, ndërsa kanë një ndikim të konsiderueshëm mbi këshillin udhëheqës të talebanëve.

Mullah Yaqoob, pasardhësi

Djali i bashkëthemeluesit të talebanëve Mullah Omar, Mullah Yaqoob, kryeson komisionin e fuqishëm ushtarak të grupit, i cili mbikëqyri rrjetin e gjerë të komandantëve në terren të ngarkuar me ekzekutimin e kryengritjes.

Babai i Yaqoob-it gëzonte statusin e kultit si udhëheqës i talebanëve. Kjo linjë e fuqishme e bën atë një figurë bashkuese në lëvizje.

Sidoqoftë, ka spekulime në lidhje me rolin e Yaqoob-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore