Shqipëria

Një vit luftë, në kërkim të paqes – Intervistë ekskluzive me ambasadorin ukrainas në Tiranë, Volodymyr Shkurov


Do të ishte fundi i janarit 2022, kur Albanian Post do të realizonte intervistën e pare me ambasadorin ukrainas në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, lidhur me konfliktin në përshkallëzim e sipër që Federata ruse po kryente mbi Kievin.

Shihej thuajse si e pamundur asokohe, që të kishte një kalim real në konflikt të armatosur pranë kufirit, në rajonin e Donbassit, ku plumba lëshoheshin herë pas here, që prej aneksimit të jashtëligjshëm që Moska i bëri Krimesë në vitin 2014.

Aq më pak, të mendohej se një luftë reale, që do të prekte kontinentin e vjetër dhe gjithë botën, do të merrte udhë.

Tashmë një vit më pas, shumëçka ka ndryshuar dhe ambasadori Shkurov, ka folur sërish për Albanian Post, duke i qëndruar të njëjtit parim se zgjidhja duhet doemos të vijë nga diplomacia.

Por, sa e mundur është kjo dhe mbi të gjitha, në konditat reale, çfarë është fitore reale për Kievin?

Intervista e plotë:

Albanian Post: Si i kujtoni orët e para të agresionit rus? Çfarë ka ndryshuar tani, një vit pas?

Natën e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, nuk mund ta besoja se ky ishte një realitet, se një barbari e tillë e pakuptimtë ishte e mundur në botën e qytetëruar të shekullit të 21-të.

Por ngjarje të tmerrshme, tragjike: bombardimet e qyteteve dhe fshatrave, goditja e ndërtesave të banimit, pastaj Irpin, Bucha, Mariupol, shkatërrimi i ukrainasve, krimet e tmerrshme kundër njerëzimit, miliona refugjatë tanë, nuk lanë asnjë dyshim se kjo është një luftë mizore kundër popullit dhe shtetit tim.

Albanian Post: Një vit luftë, çfarë ka ndryshuar për diplomacinë e Ukrainës dhe sa janë zhvilluar marrëdhëniet me vendet perëndimore, përfshirë Shqipërinë?

Fronti diplomatik i Ukrainës, për ta thënë kështu, këtë vit është bërë i rëndësishëm për prioritetet diplomatike të vendeve të Evropës Perëndimore, SHBA-ve dhe të gjithë botës së qytetëruar.

Shqipëria ka demonstruar gjithashtu një pozicion pa kompromis në mbështetje të Ukrainës, dhe bashkë me të, mbështetje për demokracinë dhe lirinë në platforma të tilla ndërkombëtare si Këshilli i Sigurimit i OKB-së, OSBE, Këshilli i të Drejtave të Njeriut, BSEC, etj..

Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Kiev në qershor të vitit të kaluar ishte, para së gjithash, një akt i mbështetjes diplomatike për Ukrainën. Viti 2023 është viti i 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama, duke biseduar me telefon me Presidentin tonë, Volodymyr Zelensky më 13 janar, njoftoi hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Ukrainë këtë vit, gjë që sigurisht tregon optimizimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve tona diplomatike dhe mbështetjen e padiskutueshme të vendin tonë.

Albanian Post: Shumë ukrainas gjetën strehim këtu në Shqipëri pas luftës. Si u pritën ata këtu dhe sa janë vendosur për një kohë të pacaktuar në Shqipëri?

Në muajt e parë të luftës Shqipëria priti gratë dhe fëmijët tanë që iknin nga lufta. Gjëja më prekëse për mua ishte se Ambasada thirrej vazhdimisht nga shqiptarë nga qytete të ndryshme, duke ofruar apartamentet e tyre për ukrainasit; ata mbanin ilaçe, ushqime dhe shumë gjëra të nevojshme për t’i dërguar në Ukrainë; pranuan më shumë se 400 fëmijë dhe nënat e tyre nga marsi deri në shtator.

Ukrainasit mund të qëndrojnë në Qendrën për personat e zhvendosur përkohësisht, duke pasur dispozitat më të nevojshme. Aktualisht në Shqipëri janë 441 ukrainas (304 të rritur dhe 137 fëmijë) që kanë aplikuar për ndihmë në Ambasadë.

Albanian Post: Në një intervistë për ne, disa ditë para fillimit të luftës, ju deklaruat se zgjidhja e vetme ishte diplomatike. A është edhe tani kështu, në këtë çast?

Çdo diplomat beson në forcën e profesionit të tij. Dhe në ditët dhe javët e para të luftës, shpresoja se do të fitonte fuqia e diplomacisë.

Megjithatë, kur Rusia foli ekskluzivisht në gjuhën e një ultimatumi gjatë negociatave, ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të bëheshim një mur për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës me armë në dorë.

Gjatë gjithë vitit, ukrainasit mbrojtën me heroizëm vendin e tyre me çmimin e jetës së tyre. Jam krenare që përfaqësoj këtu në Shqipëri njerëzit e mi të paepur dhe të guximshëm.

Albanian Post: Ne kemi parë shumë paralele mes Kosovës dhe Ukrainës në retorikën e luftës së Rusisë gjatë këtij viti, të cilat janë krejtësisht të padrejta, sepse situata është krejtësisht ndryshe. A ka afruar ky krahasim Ukrainën dhe Kosovën gjatë këtij viti? Ndoshta një shans real për ta njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur?

Askush nuk ndihet aq afër përvojave aktuale të ukrainasve sa ata që i mbijetuan luftës, gjenocidit dhe shkatërrimit të jetës paqësore. Shqiptarët e Kosovës e kanë përjetuar gjithë këtë jo shumë kohë më parë.

Megjithatë, paralelet që citojnë rusët në retorikën e tyre janë spekulative dhe dëshmojnë vetëm për përpjekjet për të gjetur justifikim për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Aktualisht, Ukraina po lufton për fitore ndaj një armiku të fortë dhe mizor.

Jam dakord me ju se situata me Kosovën ka specifikat e veta dhe se kjo çështje duhet të shqyrtohet veçmas, pa aplikuar paralele formale.

Në të njëjtën kohë, dua të them se ka një opinion publik që aktualisht është i politizuar dhe i mbingarkuar emocionalisht. Prandaj, për mendimin tim, komponenti politik i çështjes së Kosovës do t’i kthehet Ukrainës në një fazë të mëvonshme.

Dua të theksoj se Ukraina është mirënjohëse ndaj autoriteteve dhe popullit të Kosovës për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre, si dhe për ndihmën humanitare që Kosova i ofroi popullit tonë.

Albanian Post: Çfarë është fitorja, sipas jush, për Ukrainën tani?

Për mua, fitorja është fundi i gjakderdhjes, është liria, pavarësia, e qeshura e fëmijëve, ngrohtësia dhe drita në çdo shtëpi ukrainase nga malet Karpate deri në argjinaturat e Krimesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore