Lajme

“Një vdiq përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi”, SHSKUK jep detaje për ngjarjen në “Bon Vivant”: 17 persona kërkuan ndihmë


Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dhënë informacione për rastin që ndodhi në orët e vona të së premtes në “Bon Vivant”, ku si pasojë një person ka vdekur, e disa të tjerë janë lënduar.

SHSKUK ka njoftuar se pesë persona janë pranuar në Klinikën Emergjente, ku katër prej tyre janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe një në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, “të gjithë jashtë rrezikut për jetë”.

“Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror”.

Bëhet e ditur se numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë 17, ku prej tyre shtatë kanë qenë të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta.

“I gjithë stafi i Klinikës Emergjente dhe klinikave të tjera kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, bashkë me drejtorin e Klinikes Emergjente, Naser Syla”, njoftojnë nga SHSKUK-ja.

Një i vdekur, 21 të lënduar, 14 prej tyre vajza, katër të dyshuar të hospitalizuar në QKUK, është bilanci tragjik i ngjarjes që ndodhi në orët e vona të së premtes në një nga lokalet më të famshme të kryeqytetit “Bon Vivant”, ku pati të shtëna me armë zjarri dhe përplasje fizike.

I vdekuri si pasojë e kësaj ngjarje është një mashkull i moshës 39 vjeçare.

Lajmin për Albanian Post e konfirmoi Shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka.

“Po, ka vdekur një prej personave të plagosur mbrëmë, një 39-vjeçar. Ai ishte nën kujdesin intensiv kishte intervenik kirurgjik por për shkak të lëndimeve të mëdha, fatkeqësisht ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm”, ka thënë Uka për AP.

Ndërsa, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të së shtunës, bëri me dije se nga rasti i orëve të vona të së premtes, 21 persona kanë mbetur të lënduar, 4 prej tyre kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë zjarri, ndërsa 17 të tjerë si pasojë e thyerjeve të gotave të qelqit.

Policia njoftoi se i gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje, duke mos dhënë detaje shtesë.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të  dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri  (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Ndërkaq, nga policia bënë me dije se “katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë)”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia  K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”.

Një i vdekur, 21 të lënduar – Krejt çka dihet për rastin në “Bon Vivant”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore