Shëndet

Një terapi e re për kancerin e mushkërive ka rezultuar se ndalon përparimin e sëmundjes


Një terapi e re arrin të bllokojë, edhe për disa vite, përparimin e një tumori të mushkërive te pacientët që tashmë kanë metastaza në tru.

Ilaçi i ri nuk është i destinuar për të gjithë njerëzit me kancer të mushkërive, por për një “rreth të kufizuar”, i cili megjithatë ka karakteristika shumë të veçanta.

“Së pari, pacientët me tumore ALK pozitive janë mesatarisht të rinj, kryesisht nën 50 vjeç”, thotë Silvia Novello, profesoreshë e Onkologjisë Mjekësore në Universitetin e Torinos.

Së dyti, ata janë kryesisht jo-duhanpirës ose ish-duhanpirës që e kanë lënë duhanin shumë vite më parë.

Dhe së treti, shumë prej tyre kanë metastaza në tru në momentin e diagnozës, sepse ky nëntip i kancerit të mushkërive është “shumë agresiv”.

Ilaçi i ri, Lorlatinib, është krijuar posaçërisht për të kapërcyer pengesën gjak-tru dhe për rrjedhojë të veprojë në nivel truri.

Por edhe për të qenë aktiv në pacientët e trajtuar më parë me terapi të tjera, në të cilët, megjithatë, sëmundja ka arritur të zbatojë mekanizmat e rezistencës.

Autorizimi i tij nga Agjencia Italiane e Barnave (Aifa), u dha në dy fronte: në vijën e parë për pacientët (të rritur) me kancer të avancuar të qelizave jo të vogla, me translokim ALK , të pa trajtuar më parë me barna të tjera të së njëjtës kategori dhe për pacientët që kanë marrë tashmë trajtime specifike ndaj të cilave nuk përgjigjen më .

“Rezultatet e studimit CROWN, mbi të cilin u bazua drita jeshile nga Aifa, tregojnë se lorlatinib është më efektiv se trajtimet që deri më tani i kemi konsideruar standarde”, shpjegon eksperti Filippo de Marinis.

Prova përfshiu 104 spitale në 23 vende të botës, 296 pacientë dhe avantazhet e marra janë të shumta.

Trajtimi është në tableta për t’u marrë çdo ditë në shtëpi, gjë që lehtëson cilësinë e mirë të jetës së pacientëve, të cilët shpesh arrijnë të ruajnë normalitetin e tyre në sferën familjare, të punës dhe sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore