Art&dizajn

Një shtëpi, tre vëllime


Maria Castello, studioja spanjolle e arkitekturës, ka arritur të ndërtojë një shtëpi me tre vëllime që janë të përbëra nga tavane të harkuar prej qeramike në ishullin mesdhetar Formentera.

Dezeen, faqe kushtuar arkitekturës, tregon se ndërtesa është e vendosur në një ngastër bujqësore në një zonë rurale të ishullit.

Shtëpia është e vendosur në pjesën perëndimore të vendit. Ndërkohë ka pamje nga jugu dhe është e pozicionuar së bashku me një sasi drurësh që e nuancojnë ndërtesën.

Kjo shtëpi “e habitshme” është e ndarë në tre vëllime të bardha në formë drejtkëndore, secila prej të cilave përmban një nga funksionet e tërësisë së ndërtesës.

Vëllimi më i vogël nga të tre, ai i pari, përmban një hajat të mbrojtur që vepron si një hapësirë kalimtare midis pjesës së brendshme dhe asaj të jashtme.

Krahas tij, vëllimi i dytë i ndërtesës, përmban një hapësirë ndenjeje me plan të hapur e vëllimi i fundit, ai i treti, përmban dhomat e gjumit.

Për dyshemenë e secilës prej vëllimeve janë përdorur pllakat e terakotës duke lidhur hyrjen me hapësirat e banimit përmes një platforme të ngjashme me gurin.

Ndërkohë që brendësia e vëllimit të dytë ka një rregullim me plan të hapur që përmban një kuzhinë të vogël, hapësirë ngrënieje dhe një zonë ndenjeje.

Paleta prej materialesh tokësore dhe muret me ngjyrë të bardhë unifikojnë brendësinë me pjesën e jashtme. Nga ana tjetër, dyert e qelqta zgjasin vizualisht hapësirën e ndenjes.

Për të kontrastuar rregullsinë e planit drejtkëndor është projektuar prania e një tavani qemeri të stilit Mallorcan, i cili shtrihet në të gjithë hapësirën.

“Nga brenda dhe përmes hajatit zbulohen perspektiva të thella drejt peizazhit të rrafshët të fushave të grurit dhe tërshërës ku mbizotëron ngjyra e lehtë dhe e ngrohtë e tokës”, ka thënë Castello.

Gjithashtu ka shtuar se “drita dhe ngjyra e jashtme hyn në brendësi të shtëpisë falë qeramikës dhe drurit, dy materiale fisnike që kombinohen në një mënyrë delikate dhe të përjetshme”.

Për sa i përket lidhjes së dy vëllimeve, ajo realizohet nga një hapësirë e mbyllur me mure me terakota duke formuar një korridor të mbushur me dritë mes hapësirave të banimit dhe dhomës së gjumit.

Edhe blloku i dy dhomave të gjumit është realizuar nga e njëjta gamë e materialeve tokësore. Pllakat prej terakote shtrihen deri në mur për të kornizuar zonat e gjumit teksa druri i zbehtë është përdorur për krijimin e zonave të magazinimit.

“Materialet u zgjodhën për të marrë harmoninë dhe ekuilibrin më të lartë nga arkitektura në detajet e dizajnit të brendshëm…gjithashtu vlerësuam gjurmën e mjedisit duke i zgjedhur ato sa më afër nga vendndodhja jonë”, ka sqaruar studioja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore