Lajme

Një muaj paraburgim për Urosh Vukasinoviç – dyshohet për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq


Foto: Albanian Post

Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Urosh Vukasinoviç, i cili është i dyshuar për përfshirjen në një rast sulmi ndaj gazetarëve më 16 qershor.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post nënkryetari i Gjykatës së Mitrovicës, Bekim Veliqi.

“Masa e paraburgimit i është caktuar të martën”, tha Veliqi për AP.

Edhe të hënën e 19 qershorit, Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh serbit, Dalibor Spasiç, i cili dyshohet për sulm ndaj gazetarëve pak ditë më parë në Komunën e Leposaviqit.

Lajmin për paraburgimin e të dyshuarit e kishte konfirmuar, gjykatësi i procedurës paraprake, Xhemajl Jusufi.

Lidhur me sulmet ndaj gazetarëve në Veri, institucionet kosovare kanë arrestuar edhe Nemanja Vllaskoviç, më 16 qershor, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve më 29 maj, dhe të dyshuarin tjetër, Uros Vuksinoviq, për sulm ndaj gazetarëve më 16 qershor.

Pikërisht për këto arrestime dhjetëra serbë, të hënën, kanë protestuar para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, duke kërkuar lirimin e tre serbëve të prangosur nga Policia e Kosovës në Veri për sulme ndaj gazetarëve.

Tensionet u kthyen sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Rreth 20 media u sulmuan gjatë tensioneve në Veri – Pse policia s’po angazhohet në mbrojtjen e gazetarëve?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore