Kosova

Rreth 20 media u sulmuan gjatë tensioneve në Veri – Pse policia s’po angazhohet në mbrojtjen e gazetarëve?


Foto: Albanian Post

“Aspak e lehtë” dhe “aspak e zakonshme”.

Këto janë vetëm dy fjalitë me të cilat Anduena Bajqinofci, e nis rrëfimin e saj për raportimin nga Veriu gjatë  ditëve të fundit.

Kjo situatë e krijuar kërkoi angazhim pa ndonjë orar të caktuar për gazetarët.

Edhe pse nga çasti në çast mund të sulmoheshin, duke vënë në rrezik jetën e tyre, në asnjë nga ditët ku sulmet po vazhdonin ata nuk e ndalen punën e tyre.

“Kemi qëndruar, gjatë ditës, gjatë mbrëmjeve të vona e orëve të mëngjesit me qëllim që ta pasqyrojmë situatën. Në momente të shpeshta jemi gjendur në një ambient e atmosferë të brishtë të sigurisë, por që nuk na ka ndaluar”.

Për Bajqinofcin, e cila raportoi për mediumin RTV Dukagjinin, të informosh nga kjo pjesë nga vendi i ngjarjes do të thotë “sakrificë”, pasi mbrojtja e gazetarëve nuk sigurohet nga askush.

“Vazhdojmë të raportojmë edhe përtej fyerjeve, ofendimeve, goditjeve me vezë, me gurë e edhe nën të shtëna me armë zjarri. Shqetësuese mbetet fakti që target i protestuesve serbë në rastet e fundit kanë qenë gazetarët më së shumti, automjetet e tyre, pajisjet e tyre, edhe vetë ata”.

Jo vetëm se këtë rrezik e kërkon puna e gazetarisë, por është ndjenja e përgjegjësisë për të informuar opinionin publik në mënyrën e duhur.

Njëri ndër sulmet gjatë situatës së tensionuar në Veri.

“Jemi të rritur për të raportuar në atë pjesë, për ne përtej faktit që është punë, para se gjithash është detyrë që t’i njoftojmë qytetarët në shtëpitë e tyre më shumë për situatën, përveç disa fotografive që mund t’i shohin në rrjete sociale”.

Pra, sulmet e fundit treguan për një ambient që vazhdon të jetë i pasigurt, i papërshtatshëm dhe i brishtë për gazetarët.

Pas gjithë kësaj situate të krijuar, ajo ka vetëm një kërkesë për institucionet.

“Mendoj që është koha e fundit që Qeveria, Ministria e Brendshme të veprojnë. Por, po ashtu të kemi edhe një strategji për mbrojtjen e gazetarëve, pasi në fund të ditës i gjithë qëllimi është informimi i drejtë dhe i saktë”, thotë Bajqinofci për Albanian Post.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve, është sulm i lirisë së atij vendi”

Për dallim nga situata e dhjetorit kur ishin vendosur barrikada në Veri për 17 ditë e ku u sulmuan 13 punëtorë të medias, gjendja e ditëve të fundit tregon edhe për një realitet akoma më të ashpër për raportimin e gazetarëve nga Veriu.

Për vetëm katër ditë në këtë pjesë u shënuan 20 sulme ndaj mediave sërish nga persona të maskuar.

Për ekspertin e sigurisë, Avni Islami, sulmet ndaj gazetarëve në Veri tregojnë mjaft shumë për situatën e tensionuar atje.

Sipas Islamit, në një vend ku sulmohen gazetarët, “sulmohet edhe liria ndaj atij vendi”.

“Sulmi ndaj gazetarëve dhe i gazetarisë është sulm ndaj vlerave më sublime, sulm ndaj vlerave të të drejtave të njeriut, sulm kundër fjalës së lirë, kundër raportimeve nga vendi i ngjarjes”.

Situata të tilla tregojnë vetëm për përpjekjet e personave të cilët dëshirojnë të mos flitet realiteti.

“Aty ku sulmohen gazetarët, aty nuk njihet gjuha e lidhjes, por gjuha e anarkisë, gjuha e kriminelëve të cilët nuk duan që gazetaria ta raportoj rastin drejt dhe ashtu siç është. Çdo sulm ndaj gazetarëve, është sulm i lirisë së atij vendi”, thotë Islami për Albanian Post.

Në raportime të tilla ai konsideron që përgjegjës për sigurinë e gazetarëve janë Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i.

“Është shumë e rëndësishme në Veriun e Kosovës, ruajtja e objekteve komunale mendoj që krahas atyre objekteve duhet t’u sigurojnë gazetarëve raportim të drejt kudo që ata e shohin të nevojshme”.

Foto: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qoftë KFOR-i dhe EULEX-i, duhet të ndërmarrin masa në mënyrë që të mos rrezikohet jeta dhe puna e gazetarëve”.

Rreth sulmeve ndaj gazetarëve gjatë ditëve të fundit dhe arrestimeve që janë bërë, Albanian Post ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por që deri në publikimin e këtij artikull nuk ka pranuar përgjigje.

Edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, në një bisedë për Albanian Post kishte thënë se është e rëndësishme që institucionet të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për raportimin e gazetarëve.

“Pra, personat e Qeverisë duhet të bashkëpunojnë me organet e sigurisë me Policinë e Kosovës dhe të jenë në kontakt të vazhdueshëm. Ne si AGK kërkojmë një ambient të sigurt për gazetarët e Kosovës”, tha Rexha për AP.

“Mungesë e aftësisë për t’ua lejuar gazetarëve punën e tyre” – reagimet e organizatave ndërkombëtare të gazetarisë

Shqetësim ndaj këtyre rasteve ka shprehur edhe Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane e Gazetarëve (IFJ dhe EFJ).

“Një numër në rritje i sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave janë dokumentuar në veri të Kosovës që nga 26 maji, të cilat u intensifikuan më 29 maj, pas protestave që shpërthyen në rajon”.

“Federatat Ndërkombëtare dhe Evropiane të Gazetarëve (IFJ-EFJ) i bashkohen degës së tyre, Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë (AGK), në denoncimin e dhunës që synohet ndaj profesionistëve të medias dhe u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente dhe punëdhënësve të mediave që të garantojnë sigurinë e gazetarëve”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Edhe platforma rajonale e Ballkanit Perëndimor – Safe Journalist, përmes një komunikate për media ka thënë se edhe një herë është treguar se ka mungesë të aftësisë për t’i lejuar gazetarët që të kryejnë punën e tyre.

“Ngjarjet e sipërpërmendura përfshijnë raste të agresionit fizik, të ilustruar nga skenari i ekipit të portalit Periskopi, si dhe raste të shkatërrimit dhe vandalizimit të pronave që u përkasin subjekteve profesionale, si TëVë1, Dukagjini, Kallxo dhe Top Channel. Makina e TëVë 1 pasi u vandalizua me gurë dhe bojë i është vënë flaka”.

“Gazetarët sulmohen nga vendasit pasi dallohen përmes mikrofonave, logove në makina, si dhe kur dëgjohen duke folur në shqip. Në Zveçan, gazetarët e mediave shqipfolëse u detyruan të strehohen brenda ndërtesës së Komunës për një orë për të parandaluar sulme të tjera ndaj tyre”.

SafeJournalists që përfaqëson më shumë 8 mijë e 200 profesionistë të medias i ka bërë thirrje pranisë ndërkombëtare në Kosovë, që të ruaj sigurinë dhe stabilitetin në këtë pjesë.

Pse po ndodhin sulmet ndaj gazetarëve në Veri?

Është dita e shtatë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Dy ditët e fundit kanë qenë më të qeta, për dallim nga ditët e tjera ku situata kishte përfunduar me incidente.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, u lënduan edhe dhjetëra protestues.

Bilanci i sulmeve në Veri, të dhëna të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore