Lajme

“Një luftë e gjatë kundër një kundërshtari hije”


Protestat e mëdha të muajt të kaluar përfshinë thuajse çdo qytet arab dhe të përzier në Izrael.

E gjitha teksa lufta në Gaza shpërtheu dhe përleshjet për aksesin palestinez në Jerusalem u intensifikuan.

Në Haifa, qytetin bregdetar izraelit me një popullsi të përzier arabe dhe hebreje, Yousef Ibrahim mori pjesë gati në çdo demonstratë.

Aktivisti dhe organizatori nga fshati arab Daburiyya, ka pasur gjatë viteve konfrontime me agjentët e fshehtë izraelitë që paraqiten si qytetarë arabë, të njohur si Mista’arvim.

Por këtë herë ishte ndryshe.

Agjentët, më parë, kishin qenë një prani fantazmë, më shumë e ndjerë se sa shihej.

Këtë herë, aktivistë si Ibrahim-i, së bashku me organizatat ligjore, dërguan paralajmërime në grupet e WhatsApp-it dhe Telegram-it për të rritur ndërgjegjësimin për praninë e këtyre agjentëve.

Si dhe udhëzime për të shmangur arrestimin prej tyre.

Ndryshe nga e kaluara, kur ata iknin nga Mista’arvim-i, Ibrahim-i dhe shokët e tij aktivistë kishin filluar të përballeshin hapur me ta. Madje të përplaseshin drejtpërdrejt.

Dhe ndryshimi në dinamikën e pushtetit mund të nënkuptojë se këta agjentë nuk janë aq të fuqishëm sa dikur.

“Më të fortët prej nesh marshuan në rreshtin e parë, duke u kapur për dore për të mbrojtur mijërat që ecnin pas tyre në një protestë në Haifa në maj 2021”, ka treguar Ibrahim-i.

“Pastaj granatat trullosëse dhe plumbat e gomës nisën të shpërthejnë. Ata tërhoqën zvarrë dy vajza dhe një djalë, por arritëm t’i merrnim sërish. Ishte e vështirë, por ia dolëm”, ka vijuar ai.

Mista’arvim, një fjalë me prejardhje nga arabishtja që përkthehet si “ata që jetojnë në mesin e arabëve”, janë njësi elitare të operacioneve speciale të përbëra nga rekrutët hebrenj, beduinë dhe druzë të zhvilluar nga shërbimet e fuqishme ushtarake dhe inteligjente të Izraelit.

Brenda Izraelit, ku qytetarët palestinezë i nënshtrohen ligjit civil dhe jo ligjit ushtarak që zbatohet në territoret e pushtuara, agjentët kryejnë mbledhjen e inteligjencës.

Në to përfshihet edhe vëzhgimi i protestave për të identifikuar organizatorët dhe fytyrat e përsëritura.

Mista’arvim kanë fuqi edhe në zbatimin e ligjit  dhe vitet e fundit janë bërë të njohur për kryerjen e arrestimeve në të cilat agjentë të veshur civil depërtojnë në një turmë dhe rrëmbejnë papritur një të dyshuar.

Referuar ekspertit palestinez Esmat Omar, një nga qëllimet e këtyre njësive është të krijojnë një atmosferë mosbesimi, frike dhe paranojë midis protestuesve.

Kjo “sepse nuk mund ta dish vërtet nëse ky person në një protestë është një tjetër protestues ose një agjent i fshehtë që mund t’ju rrëmbejë në çdo moment ose të nxjerrë një armë”.

Për aktivistët, avokatët dhe të rinjtë palestinezë, vendosja e Mista’arvim kundër pakicës specifike etnike të një vendi është jodemokratike.

Izraeli vetëm kohët e fundit ka pranuar se i ka përdorur ato kundër qytetarëve të vet.

“Njësitë e fshehta Mista’arvim të policisë kufitare operojnë në sektorë të ndryshëm në të gjithë vendin, me misionet e tyre kryesore që janë aktiviteti i maskuar kundër bandave të krimit, trajtimi i sjelljes së çrregullt me ​​aftësi të avancuara dhe luftimi i terrorizmit”, ka deklaruar policia izraelite.

Dhe se “do të vazhdojmë të veprojmë me vendosmëri, duke përdorur të gjitha mjetet që kemi në dispozicion, të gjitha për hir të ruajtjes së sigurisë së të gjithë qytetarëve të shtetit të Izraelit”.

Sakaq, në grupet e WhatsApp-it janë përhapur mesazhe që këshillojnë protestuesit e rinj të mbulojnë fytyrën gjatë gjithë kohës për të shmangur filmimin nga njësitë Mista’arvim.

Të veshin rroba që mbulojnë plotësisht lëkurën e tyre në mënyrë që të mos lëndohen lehtë nga granatat trullosëse ose gazi lotsjellës; të shkruajnë numrin e një avokati në krahët e tyre në rast se arrestohen dhe ua marrin telefonat.

Ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, prania e agjentëve gjatë protestave të majit në qytetet arabe është e dokumentuar mirë për shkak të rritjes së mediave sociale.

Dy palestinezë dhe dy izraelitë ndërruan jetë gjatë përleshjeve të majit, ndërsa qindra nga të dyja palët u plagosën.

Kjo protestë ishte pjesë e një kryengritjeje gati njëmujore në të gjithë Izraelin dhe territoret e pushtuara palestineze të shkaktuar nga kërcënimet për dëbim me të cilat përballen familjet palestineze në një lagje të Jerusalemit Lindor, e cila u përshkallëzua në një luftë 11-ditore midis Izraelit dhe Hamas-it në Gazë.

U vranë 256 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë, së bashku me 13 persona në Izrael.

Megjithëse qytetarët palestinezë të Izraelit përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë, komuniteti shpesh është parë si vëzhgues pasiv në konfliktin 73-vjeçar.

Por në maj ata treguan një nivel të paprecedentë solidariteti, duke protestuar në numër të madh.

Protestat u kthyen në të dhunshme në qytetet e përziera dhe filloi një fushatë e gjerë arrestimesh. Afro dy mijë njerëz u arrestuan nga policia izraelite, 91 për qind e të cilëve ishin arabë.

Të ngulitur në këtë kaos ishin njësitë Mista’arvim.

Aktivistja nga Jaffa, Rawan Bisharat, ka treguar se këto njësi nuk po shqetësoheshin më të vepronin në hije.

“Për mua, është sikur kanë dalë nga dollapi”, ka thënë ajo.

Ndërsa avokati nga I’bilin, Afnan Khalifa, ka pretenduar se arrestimet e Mista’arvim-it ishin më të dhunshme se ato të policisë së rregullt, sepse nuk mbanin distinktivë identifikues.

“Ata ndihen më të lirë të përdorin dhunën sepse janë anonimë”, ka treguar ai.

Prej kohësh, qytetarët palestinezë të Izraelit janë ankuar se qeveria dhe policia punon kundër tyre.

65 ligje në kushtetutën izraelite diskriminojnë në mënyrë eksplicite popullsinë arabe të vendit dhe i klasifikojnë ata si qytetarë të klasit të dytë, sipas Qendrës Ligjore Adalah për të Drejtat e Pakicave Arabe në Izrael.

Në mars 2021, qendra paditi policinë izraelite për vendosjen e paligjshme të agjentëve të fshehtë, të cilët u filmuan duke arrestuar dhe sulmuar dhunshëm protestuesit.

Sipas Adalah, këto praktika shkelin të drejtën demokratike për protesta paqësore dhe se prania e Mista’arvim në qytetet arabe sfidon statusin e Izraelit si një demokraci.

Krijimi i dy sistemeve të veçanta të zbatimit të ligjit është “një nga karakteristikat e regjimeve të aparteidit që janë të ndaluara në botë dhe që bien ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Kështu ka thënë avokati i qendrës, Wissam Sharaf.

Disa oficerë të inteligjencës me veshje civile, arrestuan në tetor 2020 Ibrahim-in në një protestë, e morën në pyetje për tre ditë dhe më pas e liruan pa akuzë.

Sipas tij, ky arrestim ndodhi sepse një agjent Mista’arvim që ai kishte dalë në një protestë të mëparshme e raportoi atë në polici, duke pretenduar se po nxiste dhunë.

Mirëpo, policia nuk arriti të siguronte asnjë provë për këtë.

Ai ka siguruar se do të vazhdojë të organizojë protesta dhe të qëndrojë në vijën e parë të frontit, duke brohoritur dhe udhëhequr turmat.

Por ka parashikuar se kjo do të jetë një luftë e gjatë kundër një kundërshtari hije.

 

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore