Kosova

Një i vrarë dhe tre të plagosur në Skenderaj


Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas policisë, në hetimet fillestare nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa tre persona të tjerë të lënduar po ashtu nga arma e zjarrit  janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Nga hetimet  e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në lokal kanë shtënë me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë  gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, thuhet në njoftim.

Po ashtu policia ka bërë të ditur se gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i  cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i  pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore .

“Hetuesit e Sektorit Rajonal janë duke punuar intensivisht për identifikimin  dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”.

Vetëm brenda këtij muaji tre persona janë vrarë në Kosovë nga të shtënat me armë zjarri.

Tri ditë më parë një person u vra në Klinë, ndërsa më 5 gusht pas përplasjeve fizike dhe të shtënave me armë zjarri një person është vrarë dhe 17 të tjerë janë lënduar në lokalin ‘Bon Vivant’ në Prishtinë.

Kurse njëri nga të dyshuarit për përfshirje në incident mësohet të jetë i kërkuar edhe nga FBI-ja.

I njohur me pseudonimin “Duka”, Dukagjin Nikollaj, kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore