Kultura

Një hapësirë kulturore arbëreshe në Rai Tre Calabria


Është hera e parë që një seli e Radio Televizionit Italian (RAI) i jep hapësirë kulturore një pakice gjuhësore duke sjellë në programacion teatrin në gjuhën e saj.
Nga data 19 dhjetor,  çdo të shtunë, nga ora 7:30 deri në 8:00, në transmetimin rajonal (në Kalabri) të kanalit Rai Tre do të transmetohet “Jeta”, një komedi e shkruar dhe e recituar në gjuhë arbëreshe, me nëntituj në italisht.

Jeta Vita teater rai 3 arberesh italia gjuhe kulture
Shfaqja Jeta/Vita në gjuhë arbereshe


Nisma vjen nga drejtori i selisë RAI të Cosenza-s, Demetrio Crucitti, që ka qenë gjithmonë i ndjeshëm ndaj vlerësimit të gjuhëve dhe të traditave të tre pakicave gjuhësore në Kalabri (arbëreshë, oçitane dhe grekanike).

Ideja i erdhi pasi mori pjesë në një shfaqje teatrore në Eparkinë e Lungro-s, Ungër siç e quajnë në arbërisht. Shfaqja teatrore “Jeta”, “Vita” në italisht, kishte lindur nga një projekt i Fidapa Cosenza-s në bashkëpunim me kompaninë teatrore “Il Sipario”.

Drejtoresha e Fidapa Cosenza-s Anna Cerrigone kishte ftuar selinë rajonale RAI të Kalabrisë të ndihmojë në përhapjen e komedisë së regjistruar në 2019-n pranë teatrit Rendano në Cosenza.

Aktorët joprofesionistë që luajnë në shfaqje janë vullnetarët e shoqatës kulturore “Il Sipario” që ushtron si kompani teatrore. Presidenti i shoqatës është arkitekti Giuseppe Piragine.

Autori i shfaqjes është Demetrio Corino, kurse regjizori televiziv është Andrea Recchia.

Protagonistët luhen nga Adele Marino dhe Vincenzo Barbati, si dhe luajnë aktorët e tjerë Rocco Gallucci, Adele Diodati, Tina Cacciola e Massimo De Rosis. Ndërsa Emiliana Oriolo këndon këngët arbëreshe.

Komedia rrëfen historinë e një çifti të moshuar, Isabella dhe Francesco, që, në 50-vjetorin e martesës kujton çastet më të lumtura të jetës së përbashkët: dasma, festat dhe të kënduarit me miq, lufta e parë botërore dhe humbja e të birit Giuseppe.

Në mbyllje çifti i lutet Perendisë që të filllojnë rrugëtimin që i bashkon me djalin e tyre, në qiell.

Gjithashtu më 9 janar në të njëjtin kanal do të shfaqet një dokumentar i realizuar në vitin 2019 kushtuar 100-vjetorit të parë të Heparkisë së Ungrës, ngjarja historike kur, nën strehën e saj, bashkësitë e ndryshme të dioqezave të shpërndara të Kalabrisë arbëreshe u bashkuan nga ana gjuhësore, liturgjike dhe kulturore.

Në Itali janë 12 pakicat kulturore gjuhësore (arbëreshe, katalane, gjermanike, greke, sllovene, kroate, franceze, franko-provencale, friulane, ladino, oçitane dhe sarde).

Kalabria e vetme i ka 3 nga pakicat kombëtare.  Rëndësia e gjuhëve të pakicave gjeti vend që në themelimin e Kushtetutës italiane, në nenin 6 të saj. Masat që merr shteti për t’i mbrojtur, edhe me fonde shtjellohen më tej në ligjin kombëtar nr. 482 të vitit 1999.

Ligji për aplikimin në rajonin e saj është ligji nr. 15 i vitit 2003. Një ligj që shumë e quajnë të fjetur ose të pamjaftueshëm në praktikë.

Siç thotë Domenico Morelli, studiues arbëresh, njëkohësisht President i Confemili (Komiteti kombëtar federativ i pakicave gjuhësore të Italisë) prej vitit 1992 i cili ka pasur një rol të rëndësishëm në aprovimin e ligjit 482/99: “Mbrojtja është një arritje që duhet të fitohet çdo ditë”.

Ndërsa “martesat e përziera shumëfishohen, nuk duket se po realizohet takimi e përforcimi i ndërsjellë midis ngulmimeve të vjetra dhe migracioneve të reja nga Shqipëria” dhe duhet pasur parasysh që “arbëreshët janë bërë emigrantë ekonomike, kështu që fshatrat arbëreshe po boshatisen”.

Këto fenomene të modernizmit mund ta fshijnë një pjesë të gjeografisë së përkatësisë shoqërore. “Nuk është se po zhduket gjuha, po zhduken njerëzit” thotë shkrimtari i mirënjohur Carmine Abate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore