Lajme

Niveli i detit rreth Zelandës së Re është dyfishuar në 60 vitet e fundit


Rreth Zelandës së Re, niveli i detit është rritur dy herë më shpejt në 60 vitet e fundit sesa në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Dhe për këtë, ndryshimi i klimës u cilësua si fajtori kryesor.

Treguesi i rritjes së nivelit të detit bregdetar tregon se norma u dyfishua midis viteve 1961 dhe 2020, krahasuar me normën mesatare nga viti 1901 deri në 1960, në tre nga katër vendet e monitoruara.

Ato përfshijnë Wellington, Lyttelton dhe Dunedin.

Wellington ka përjetuar rritjen më të madhe gjatë 60 viteve të fundit, prej 2.84 milimetra në vit, ndërsa Lyttelton, pranë Christchurch, kishte prirjen më të lartë të përgjithshme gjatë 120 viteve të fundit, me 2.24 milimetra në vit.

Masa ka marrë parasysh çdo ndryshim lokal në lëvizjen vertikale të tokës, që mund të shkaktohet nga proceset gjeologjike ose aktiviteti njerëzor që shkakton fundosje.

Sakaq, ndryshimet klimatike u përmendën si një nga shkaqet kryesore të rritjes së nivelit të detit.

“Projeksionet e ardhshme të ndryshimeve klimatike tregojnë se nivelet e detit do të vazhdojnë të rriten”, ka thënë Michele Lloyd, zëdhënësja mjedisore e Stats NZ që nxori studimin.

“Rritja e nivelit të detit ndikon në komunitetet bregdetare, infrastrukturën, habitatet bregdetare dhe biodiversitetin”, ka shtuar ajo.

Vija bregdetare e Zelandës së Re është e gjerë dhe shumë shtëpi janë ndërtuar pranë bregut.

Një në shtatë banorë, ose 675 mijë njerëz, jetojnë në zona të prirura nga përmbytjet, ndërsa 72 mijë e 65 të tjerë jetojnë në zona që parashikohet të jenë subjekt i rritjes ekstreme të nivelit të detit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore