Kosova

Nis vaksinimi ndaj gripit sezonal në Kosovë


Ilustrim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se të hënën do të fillojë vaksinimi kundër gripit.

Lajmin e ka bërë të ditur IKSHPK-ja përmes një komunikate për media.

“Vaksinimi është mënyra më e thjeshtë dhe më efektive për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve serioze infektive. Po ashtu, pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të zbutur dhe ndaluar epidemitë dhe pandemitë e ndryshme. Nga java që vjen, në Kosovë fillon vaksinimi kundër Gripit”.

Në njoftim, thuhet se fillimisht duhet të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët mbi 6 muaj me imunitet të dobësuar.

Kalendari i publikuar nga IKSHPK-ja.

“Personat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët mbi 6 muaj me imunitet të dobësuar, bëjnë pjesë në grupet e rrezikut që duhet vaksinuar së pari”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur edhe vaksinat që do të jenë pjesë e kalendarit të rregullt të vaksinimit.

“Tre vaksina të tjera: kundër Human Papilloma Virusit; Vaksina kundër Pneumokokut dhe Vaksina kundër Rotavirusit janë pjesë e Kalendarit të rregullt të vaksinimit (2023/2024) në Kosovë”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen për të parandaluar sëmundjen, derisa shtojnë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se shëndeti.

Në muajin shkurt dhe mars në Kosovë, kishte pasur rritje të rasteve me COVID-19, me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes qytetarët ishin këshilluar të vaksinohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore